Lidhje

EULEX: Sundimi i ligjit i panegociueshëm

  • Leonat Shehu

Misioni i BE-së në Kosovë tha se nuk do të ndryshojë vendimin për transferimin në veri të të akuzuarve nga “Grupi i Drenicës”

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit tha se vendimi për transferimin e të paraburgosurve nga Grupi i Drenicës në qendrën e paraburgimit në veriun e Mitrovicës, është i pandryshueshëm.

Për dy ditë me radhë kanë vazhduar debatet e paqartësitë rreth njoftimit se të martën, tre persona të paraburgosur, ishin arratisur nga spitali i Prishtinës, ku po trajtoheshin nën përkujdesjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Të tre ata janë pjesë e grupit prej 15 vetash të akuzuar nën dyshimet për vepra penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve dhe vrasje, të cilat pretendohet se mund të jenë kryer në një qendër paraburgimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Likoc të komunës së Skenderajt në vitin 1998. Në mesin e të akuzuarve janë ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sulejman Selimi, i njohur me emrin e luftës Sulltani, aktualisht ambasador i Kosovës në Tiranë dhe kryetari aktual i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ish komandant i zonës së parë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zyrtarët e burgjeve thanë se të arratisurit janë Sami Lushtaku, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari dhe se ky veprim pasoi mospajtimin me vendimin e një gjykatësi të EULEX-it për transferimin e tyre në Qendrën e Paraburgimit në pjesën veriore të Mitrovicës.

Avokatët dhe familjarët thanë se ata nuk janë arratisur por janë duke negociuar mundësinë që të mos transferohen në Mitrovicë dhe që procesi gjyqësor i planifikuar të fillojë të enjten më 22 maj të mbahet në Prishtinë.

Zyrtarët e EULEX-it mohuan të kenë zhvilluar negociata. Në një njoftim për medie të këtij misioni thuhet se “EULEX-i vazhdon të ndihmojë autoritetet e Kosovës lidhur me situatën e zhvilluar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Urdhri i gjykatësit lidhur me transferimin e të gjithë të pandehurve në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, përgjatë periudhës kur do të mbahen seancat gjyqësore, nuk ka ndryshuar dhe është në fuqi”.

Në njoftim thuhet se është qëllim i misionit të mos lejojë përshkallëzimin e situatës. “EULEX-i do të ndihmojë autoritetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës me vëzhgues policorë shtesë në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, gjatë kohës sa të pandehurit janë atje. Mision thekson edhe një herë se sundimi i ligjit nuk është i negociueshëm”.

Më herët gjatë ditës ministria e drejtësisë shpjegoi se transferimi i të akuzuarve në veri të Mitrovicës nuk është bërë për shkak se drejtuesit e shërbimit korrektues nuk kanë marrë garanci për sigurinë e të paraburgosurve.

Shqetësimet për sigurinë në atë pjesë kishin nxitur reagimin e shoqatave të dala nga lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe veprimtarët e të drejtave të njeriut të cilët tërhoqën vëmendjen se EULEX-i kishte respektuar shqetësimet për sigurinë të të paraburgosurve serbë duke u mundësuar atyre largimin nga qendra e paraburgimit në Prishtinë dhe vendosjen në veri.

Zyrtarët e EULEX-it thanë se vendimi kishte të bënte vetëm me ditët kur do të zhvillohej procesi gjyqësor kundër tyre në Gjykatën Themelore që ndodhet në veriun e Mitrovicës në përgjegjësinë e së cilës bie edhe rajoni ku dyshohet se mund të jenë kryer krimet që u vihen në barrë të pandehurve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG