Lidhje

Procedurë pa barna për trajtimin e astmës


Trajtimi i astmës pa barna
Trajtimi i astmës pa barna

Procedura kryehet nëpërmjet një tubi të hollë elastik i cili shkon deri në burimin e astmës.

Një spital në veri të Teksasit është i pari në rajon që po provon një procedurë e cila mund të ofrojë lehtësim afat-gjatë të personave me astmë.

Procedura e quajtur Thermoplasty Bronkiale tashmë është miratuar nga administrata e ushqimeve dhe barnave (FDA).

Procedura kryehet nëpërmjet një tubi të hollë elastik i cili shkon deri në burimin e astmës, në tubat bronkialë. Atje mjekët godasin astmën – jo me ilaç – por duke kryer një shpërthim të kontrolluar nga energji frekuencash radiofonike. Shpërthimi shkakton tkurrjen e indeve, duke pakësuar mundësinë e sulmeve astmatike. Mjekët në qëndrën spitalore Texas Health Dallas thonë se deri tani kanë kryer 6 prova me Thermoplasty Bronkiale dhe rezultatet kanë qenë të mira. Procedura nuk është për çdo pacient me astmë, por vetëm për ata me sulme të vazhdueshme astmatike që trajtimi me barna nuk u bën efekt. Për trajtimin me Thermoplasty Bronkiale pacienti kryen tre seanca dhe më pas nuk ka nevojë për ilaçe. Në botë ka rreth 300 milionë njerëz që vuajnë nga astma.


Tendosje e lëkurës pa ndërhyrje kirugjike

Rrudhat janë kryesisht gjurmë të moshës. Njerëzit do të dëshironin të mos i kishin. Operacioni plastik është një alternativë për heqjen e tyre, por shumë nuk duan – për arsye të ndryshme etike a financiare, por edhe sepse i druhen thikës.

Por tani një trajtim i ri me ndërhyrje fare të vogël duket premtues. Procedura përfshin doza shumë të sakta nxehtësie mes shtresave të lëkurës. Dhe mjekët thonë se dëmi që kjo lloj nxehtësie mendohet se mund të shkaktojë. në fakt prodhon një efekt të shëndetshëm duke tendosur lëkurën
Në klinikën e tij në Palo Alto të Kalifornisë, doktor James Newman përdor këtë procedurë nëpërmjet një teknologjie të quajtur Evolastin. Pasi ka kryer mpirjen e lëkurës, Doktor Newman përdor një pajisje dore që përmban një radhë gjilpërash të cilat dërgojnë mes shtresave të lëkurës nxehtësi të krijuar me frekuenca radiofonike.

Doktor Newman thotë se kjo lloj nxehtësie përmirëson indet dhe shton vëllimin e tyre, duke nxitur lëkurën të regjenerojë kollagenin – proteinë që mban të lidhura indet.

Qëllimi i trajtimit me Evolastin është për të zbutur efektin e rrudhave në pjesët më me probleme, si për shembull përgjatë vijës së nofullave. Doktor Newman paralajmëron se tendosja e lëkurës me Evolastin mund të arrijë vetëm deri 20 – 25 për qind të asaj që realizohet me operacion plastik siç është “face lift”. Procedura Evolastin kushton rreth 3 mijë e 500 dollarë dhe nuk mbulohet nga sigurimet shëndetësore. Doktor Newman thotë se shumica e pacientëve janë në gjendje të kthehen në punë dy ditë pas procedurës.


Largësia e vendit të punës dhe shëndeti

Kur ngasin makinën, njerëzit shqetësohen për çmimin e karburantit, kjo për arsye praktike sepse preket buxheti personal. Por a ka çështje më praktike se sa shëndeti dhe harmonia familjare kur është fjala për ngarjen e makinës? Një studim i ri thotë se ngarja e makinës për të shkuar në punë mund të jetë pjesa më e pashëndetëshme e ditës. Çdo ditë a dy herë në ditë – nuk është puna që të sëmur, por udhëtimi për të shkuar deri atje. Disa të dhëna të reja thonë se sa më larg që të jetë vendi i punës aq më keq për trupin. Dhe ka njerëz që udhëtojnë çdo ditë 2 orë me makinë për të shkuar në punë.

Sipas një studimi personat që çdo ditë ngasin makinën 20 kilometra ose më shumë për të shkuar në punë kanë bark më të madh dhe tension më të lartë gjaku në krahasim me persona të tjerë që e ngasin makinën më pak, ose përdorin transportin publik dhe ushtrohen më shumë fizikisht.

Ky është studimi i parë që dokumenton se si largësia nga vendi i punës ndikon shëndetin – presionin e gjakut, gjendjen kardio-vaskulare dhe peshën trupore.

Sipas të dhënave nga zyra ammerikane për regjistrimin e popullsisë, një amerikan udhëton me makinë mesatarisht 25 minuta çdo ditë, ndërsa 8 për qind e popullsisë së vendit shpenzon më shumë se 1 orë për të arritur në vendin e punës.

Sipas grupit anketues Gallup, 1/3 e personave që ngasin makinën 90 minuta çdo ditë thonë se vuajnë nga dhimbje në qafë dhe shtyllë kurrizore.

Ndërsa shkencëtarët në Suedi konstatuan se çiftet që e kanë larg vendin e punës, kishin 40 për qind më shumë gjasa për t’u divorcuar.
XS
SM
MD
LG