Lidhje

Kriza ekonomike në Spanjë


Euforia fillestare që kishte përfshirë tregjet financiare botërore pas marrëveshjes së vendeve të Eurozonës për t’i dhënë bankave spanjolle 125 miliard dollarë, u shua dje ndërkohë që investitorët po rishqyrtojnë kushtet e paketës së shpëtimit.
Tregjet e aksioneve dje shënuan ngritje në bursat evropiane dhe ato aziatike. Indekset e aksioneve në Tokio dhe Hong Kong u rriten më shumë se 2 për qind. Edhe tregjet aksioneve në Londër, Frankfurt dhe Paris shënuan një rritje të ndjeshme në fillim të ditës. Megjithatë, në fund të ditës, tregjet Evropiane u mbyllën me përqindje më të ulët se sa të premten e kaluar. Tregjet amerikane të aksioneve shënuanë një ulje prej më shumë se 1 për qind.

Tregu kryesor i Spanjës, i drejtuar nga aksionet financiare, fillimisht u ngrit 4 për qind, por në fund të ditës ra më shumë se 1,5 për qind.

Analistët e kanë vënë në pikëpyetje nëse ndihmat financiare për bankat e Spanjës do të dëmtojnë qeverinë spanjolle, pasi ajo përfundimisht është përgjegjëse për shlyerjen e kredive, dhe kostot e saj të huamarrjes janë duke u rritur. Spanja është në vitin e tretë të një recesioni ekonomik. Ajo ka shkallën më të lartë të papunësisë në eurozonë dhe është duke luftuar për të rimëkëmbur ekonominë e saj.

Robert Halver i Bankës Baader tha se paketa e shpëtimit i ka dhënë vetëm pak më shumë kohë vendeve të eurozonës për të zgjidhur krizën.

“Problemet e Spanjës nuk janë zgjidhur, ato vetëm janë shtyrë. Me këtë vendim eurozona ka fituar pak kohë, por problemi kryesor vazhdon të jetë ekonomia spanjolle dhe paaftësia e saj për të kryer reforma. Pra, Spanja duhet të bëjë reforma ekonomike.”

Disa punëtorë spanjollë thonë se ata shohin pak përfitim nga marrëveshja për të ndihmuar bankat. Një punonjëse e gjykatës, Felicia Lopez, tha se politikat e kryeministrit Mariano Rajoy nuk janë të qëndrueshme.

“Qeveria e kryeministrit Rajoy po shpëton bankat duke u dhënë atyre sasi të mëdha të parave, dhe në të njëjtën kohë qeveria e tij po shkatërron jetën e qytetarëve, po shkurton pagat, përfitimet, dhe të drejtat themelore.”

Spanja u bë vendi i katërt i eurozonës që ka nevojë për ndihmë financiare, pas Greqisë, Irlandës dhe Portugalisë. Të hënën, një nga vendet më të vogla të eurozonës, Qipro, tha se mund të ketë nevojë për ndihma financiare, ndoshta brenda disa ditësh.

Greqia do të mbajë zgjedhje të reja parlamentare të dielën, pasi votimet e muajit të kaluar nuk nxorën fitues të bindshëm. Ekziston frika se qeveria e re mund të vendos që Greqia të bëhet vendi i parë që del nga eurozona në vend se të zbatojë masat shtrënguese që kërkohen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe kreditorët e saj në mbarë Evropën.
XS
SM
MD
LG