Lidhje

Një i mbijetuar i Kmerit të Kuq mëson të qajë


Arn Chorn-Pond ishte fëmijë kur Kmeri i Kuq mori pushtetin në Kamboxha. Atë e dërguan në kampet e punës dhe ai mbijetoi duke mësuar të luajë këngë revolucionale me flautin e tij. Por ai u bë dëshmitar i vrasjes apo i vdekjes nga uria të njerëzve përreth tij. Arn është tani në të 40-at dhe po e ndan përvojën e tij me një audiencë të re: Ai është personazhi kryesor i një romani të ri amerikan për adoleshentë. Arn bisedoi me korrespondentin e Zërit të Amerikës Irwin Loy në Phnom Penh:

Arn Chorn-Pond ulet me sy mbyllur, ndërsa gishtat e tij lëvizin tek flauti. Dikur flauti ishte një mjet mbijetese për të. Nën Kmerin e Kuq, Arn mori përsipër vullnetarisht të luante këngë propagande. Disa herë, thotë ai, muzika përdorej, që të mos dëgjoheshin klithmat e njerëzve që ekzekutoheshin.

“Ata vendosnin një mikrofon të fuqishëm dhe unë i bija flautit. Kështu njerëzit në fshatrat përreth dëgjonin muzikën dhe jo klithmat. Kmeri i Kuq kishte një sëpatë të veçantë, po t’u rënë njerëzve prapa kokës, dhe klithma e tyre mund të dëgjohej kilometra larg. Si të ishte një sëpatë që i bie një are kokosi, por në fakt ato ishin kafka njerëzish. Edhe sot më duket se e dëgjoj atë tingull”.

Në një vend ku një e katërta e popullsisë vdiq nën regjimin e Kmerit të Kuq, çdo i mbijetuar ka një histori të vetën për të treguar. Tani Arn e tregon historinë e tij me një mënyrë të re. Ai është personazh i një romani të ri për adoleshentët amerikanë.

I shkruar nga Patricia McCormick, libri rrëfen vitet e fëmijërisë të Arnit nën Kmerin e Kuq, arratisjen e tij, mbërritjen në një kamp tajlandez refugjatësh, dhe më pas jetën e tij të re në Shtetet e Bashkuara ku ai u vendos pasi u adoptua nga një punonjës amerikan ndihmash. Libri titullohet “Kurrë Mos u Dorëzo”. Arn thotë se është një shprehje që ia thoshte vetes shpesh.

“Edhe kur punoja në fushën e orizit nëse do të rrëzohesha edhe vetëm një herë, nuk do të ngrihesha dot kurrë”.

Libri është roman artistik, por ngjarjet janë të gjitha të marra nga përvoja e Arnit, i cili ia tregoi autores në disa intervista. Libri përshkruan ngjarje që janë disa dekada të vjetra, por Arn thotë se shpreson që romani të krijojë një lidhje me një periudhë të errët por të rëndësishme.

Adoleshentët e sotëm amerikanë nuk kishin lindur atëherë, por vendi i tyre ishte i angazhuar në Kamboxha në vitet para se Kmeri i Kuq të vinte në pushtet. Në përpjekje për të asgjësuar forcat komuniste vietnameze që besohej se ishin vendosur në kufirin lindor të Kamboxhas, avionët amerikanë ndërmorën bombardime të rënda ajrore. Disa historianë thonë se bombardimet kontribuan që civilët të mbështesnin Kmerin e Kuq.

“Eshtë e rëndësishme veçanërisht për amerikanët që ta dinë historinë. Lidhjet me Komboxhan janë në ndërgjegjen e tyre. Të rinjtë sot pyesin: ‘ne kishim rol në Kamboxha?’. Po. Edhe të rinjtë amerikanë duhet ta dinë këtë. Ata duan të dinë më shumë pasi lexojnë librin”.

Libri më pas përshkruan përvojën e Arnit, pas ikjes nga Kamboxha, vështirësitë e rritjes në një vend tjetër, si i vetmi fëmijë jo i bardhë në një shkollë ku të gjithë nxënësit e tjerë ishin të bardhë.

Por pyetja që e ka munduar dhe e mundon më shumë dhe që ai nuk mund të përgjigjet është sesi mundi të mbijetojë, ndërsa vëllezërit dhe motrat e tij, si edhe shumë të tjerë vdiqën? Për një kohë të gjatë ai e mbajti këtë histori të mbyllur brenda vetes, aq shumë sa i dukej se po mbetej pa frymë, derisa babai që e adoptoi organizoi një aktivitet ku ai e rrëfeu atë para një audience në Nju Jork.

“Kështu unë fola për herë të parë dhe për herë të parë u ngashëreva. Dhe e dija sa e rëndësishme ishte që të qaja, të mësoja sesi ta tregoja historinë time para amerikanëve, t’u tregoja se ç’kishte ndodhur”.

Arn tani kalon një pjesë të kohës në Kamboxha dhe një pjesë në Amerikë. Nën Kmerin e Kuq ai mbijetoi nga muzika. Tani ai punon për ruajtjen e muzikës tradicionale kamboxhase.

“Muzika më shpëtoi jetën. Prandaj muzika po kthehet përsëri në jetën time dhe unë po e përdor plotësisht jo vetëm për të interpretuar, por edhe për të ruajtur dhe për t’ia kaluar brezit të ardhshëm, këtë kulturë që rrezikon të zhduket”.

Organizata që ai ka themeluar Arti i Kamboxhas ndihmon mjeshtrat e instrumentave tradicionale të Kamboxhas që të vazhdojnë traditën e tyre dhe inkurajon studentët e rinj që të mësojnë.
XS
SM
MD
LG