Lidhje

Greqi, Konservatorët: Sot presim koalicion qeveritar me socialistët


Udhëheqësi socialist Evangelos Venizelos tha se bisedimet me partinë konservatore duhet të përfundojnë në fund të ditës

Udhëheqësit konservatorë grekë thanë se presin që sot të krijojnë një koalicion të ri qeveritar me socialsitët.

Udhëheqësi socialist, Evangelos Venizelos, Partia Pasok e të cilit përfundoi e treta në zgjedhjet parlamentare të së dielës, tha se bisedimet me partinë konservatore duhet të përfundojnë në fund të ditës së sotme.

Presidenti Grek i dha shefit të konservatorëve Antonis Samaras tre ditë kohë për të formuar një qeveri koalicioni. Partia e tij, Demokracia e Re, fitoi 129 nga 300 vendet në parlament. Të majtët radikalë dhe partia Syriza, që është kundër ndihmës financiare të euro-zonës, doli e dyta me 71 vende. Pasoku, i cili mbështet mbetjen në euro-zonë, fitoi 33 vende.

Udhëheqësi i të majtëve radikalë, Elexis Tsipras refuzon të bëhet pjesë e koalicionit. Ai tha se Greqia ka nevojë për një opozitë të fortë dhe shtoi se historia do ta provojë edhe një herë se mbetja në euro-zonë me masa të rrepta shtënguese dhe shkurtime të mëdha buxhetore janë politika të gabuara për Greqinë.

Demokracia e Re dhe Pasok-u kanë qenë të vetmet parti në pushtet në Greqi, që nga përfundimi i sundimit ushtarak në vitin 1974. Partia Demokratike e së majtës, e cila gjithashtu kundërshton marrjen e ndihmave të shpëtimit dhe që doli e 6-ta në zgjedhjet e së dielës, mund të luajë gjithashtu një rol në kioalicion, ndoshta për t’i siguruar grekët skeptikë se zgjedhjet e së dielës nuk do të jenë si zgjedhejt e mëparshme.
XS
SM
MD
LG