Lidhje

Obama: Kriza evropiane, plotësisht e zgjidhshme


Presidenti Barak Obama tha se ai është i bindur se udhëheqësit evropianë mund të zgjidhin problemet ekonomike të kontinentit, duke shtuar se ato nuk janë vende jofunksionale apo joproduktive.

Duke folur para gazetarëve, pas takimit të G20-ës në Los Cabos të Meksikës, zoti Obama tha se të gjitha problemet e Evropës janë plotësisht të zgjidhshme. Ai e përshkroi krizën ekonomike si një kombinim të ndërlikuar të borxhit publik dhe të problemeve të sektorit privat.

Por ai tha se udhëheqësit evropianë e kuptojnë urgjencën për të ndërmarrë veprime të rëndësishme dhe për të krijuar një cikël pozitiv në tregje. Ai tha se kjo do të thyejë atë që ai quan "ethet" e pasigurisë në mes të popullsisë evropiane. Presidenti Obama tha se Evropa do të zgjidhë problemet e veta, dhe se zgjidhja nuk do të vijë nga Shtetet e Bashkuara apo vende të tjera.

Udhëheqësit e G20-ës pranojnë në deklaratën e tyre përfundimtare se ekonomia globale është e ndjeshme dhe se është duke pasur një ndikim negativ në jetën dhe punën e njerëzve të zakonshëm.

Ata ranë dakord të punojnë së bashku për të zgjidhur tensionet e tregut financiar duke shtuar mundësitë për njerëzit e vendeve në zhvillim.
XS
SM
MD
LG