Lidhje

Aung San Suu Kyi viziton sot Francën


Aung san Suu Kyi gjatë vizitës në Britaninë e Madhe

Aung san Suu Kyi gjatë vizitës në Britaninë e Madhe

Ikona birmaneze e demokracisë, Aung san Suu Kyi viziton sot Francën, duke shënuar edhe përfundimin e vizitës së saj të parë në Europë në 24 vjet.

Minsitria e jashtme franceze tha se zonja Aung San Suu Kyi do të takohet me presidentin Francois Hollande në fillim të vizitës së saj katër ditëshe. Ministria e jashtme franceze tha gjithashtu se ajo do të takohet me udhëheqësit e Asmblesë Kombëtare dhe të senatit, me ministrin e jashtëm dhe me kryetarin e bashkisë së Parisit. Për nder të saj do të shtrohet një darkë.

Në turneun e saj në Evropë u përfshinë vizitat në Angli, Zvicër, Irlandë dhe Norvegji.

Në Norvegji, ajo mori Çmimin Nobel për paqe të vitit 1991 që asaj i ishte mohuar ndërsa ishte nën arrest shtëpie në Birmani.

Gjatë ndalesës së saj në Angli, Aung San Suu Kyi mbajti një fjalim para Parlamentit në Londër dhe u nderua me një diplomë nderi nga Universiteti Oxford, ku ajo kishte studiuar dhe jetuar me familjen e saj për vite të tëra para se të kthehej në Birmani në vitin 1988.
XS
SM
MD
LG