Lidhje

Kushtetueshmëria e ligjit për reformë shëndetësore


Në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë

Gjykata e Lartë në Shtetet e Bashkuara do të vendosë këtë javë mbi kushtetueshmërinë e ligjit të reformës shëndetësore të presidentit Obama i cili u kërkon amerikanëve të blejnë sigurime shëndetësore. Shumica e amerikanëve e marrin sigurimin shëndetësor përmes punëdhënësve, por shumë punonjës nuk e kanë këtë mbulim nga puna. Ata nuk janë aq të varfër sa të kualifikohen për kujdes shëndetësor falas nga qeveria që njihet si Medicaid, por nuk janë në gjendje ta blejnë vetë sigurimin shëndetësor. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Laurel Bowman vizitoi një klinikë falas në Arlington, Virginia që trajton një pjesë të vogël të 50 milionë banorëve që janë pa sigurime shëndetësore.

Për 25 vjet, Wilber Smith kishte sigurim shëndetësor përmes punës. Më pas humbi punën dhe sigurimin – pak pasi u diagnostikua me kancer.

Ai thotë se u përpoq ta blente vetë sigurimin shëndetësor, edhe pse mezi e përballonte atë – por kompanitë e sigurimit nuk e pranonin për shkak të sëmundjes.

“Kudo që shkoja përgjigja ishte një jo e shpejtë. Më thonin, tani u kujtove të vish tek ne? Si mund të shpjegohesha. Nuk më ishte dashur sigurimi më parë.”

Wilber Smith gjeti klinikën falas në Arlington, Virginia, ku po trajtohet tani nga kanceri. Klinika fifnanccohet kryesisht nga dhurues privatë. Në të trajtohen gati 1,600 nga gati 20,000 banorët pa sigurime të Arlingtonit. Shumica e pacientëve zgjidhen përmes llotarisë.

“Marrim gati 150 aplikime në muaj dhe nga këta mund të trajtojmë gati 25.”

Jody Kelly është drejtoreshë e klinikës. Ajo thotë se në kohën që pacientët trokasin në klinikë, janë shumë të sëmurë.

“Është një e keqe që shtohet pasi je i sëmurë, kur nuk trajtohesh gjendja përkeqësohet.”

Washingtoni pret këtë javë vendimin e Gjykatës së Lartë për kushtetueshmërinë e ligjit për reformën shëndetësore të Presidentit Obama. A do të mbesë ai në fuqi? Apo do të shfuqizohet? Çfarë pjesë e ligjit do të mbijetojnë? Pavarësisht se çfarë vendimi merr gjykata, publiku amerikan nuk do të jetë i kënaqur, kjo sipas një studimi nga qendra Pew Research. Grupi zbuloi se më pak se gjysma e amerikanëve do ta miratojnë vendimin e gjykatës.

Ed Haislmaier punon për politikat shëndetësore për Fondacionin me pikëpamje konservatore Heritage. Ai thotë se amerikanëve nuk u pëlqen të detyrohen të blejnë sigurim shëndetësor.

“Republikanët janë kundër tij, sepse e shohin atë si një shkelje të lirisë së tyre personale.Demokratët janë kundër tij, sepse atyre nuk u pëlqejnë kompanitë e sigurimit. Atyre nuk ju pëlqen t’u thuash se duhet të shkojnë të blejnë nga dikush që nuk u pëlqen”.

Zoti Haislmaier mbështet një sistem të nxitur nga konsumatori ku ky i fundit të ketë të zgjedhë jashtë asaj që i ofron punëdhënësi -- një sistem ku njerëzit që kanë qënë të siguruar, të vazhdojnë të marrin sigurim edhe në se sëmuren si Wilber Smith.

“Sigurimi patjetër është i nevojshëm. Është domosdoshmëri. Është gjëja më e rëndësishme dhe nëse merr një fare ndihme në këtë process, gjëja më e mire është të jesh mirënjohës.”
XS
SM
MD
LG