Lidhje

Lojrat Olimpike, ndryshime në Londrën Lindore

  • Al Pessin

Parku Olimpik 2012 është në Lindje të Londrës, një zonë e varfër që ka mbetur e papërfillur para se qyteti të fitonte të drejtën për të organizuar lojrat olimpike shtatë vjet më parë. Që atëherë kjo zonë është transformuar. Por disa njerëz e vënë në pikëpyetje idenë se ndryshimet ishin pozitive ashtu siç pretendojnë zyrtarët. Ata shtrojnë pyetjen se ç’pamje do të ketë qyteti pas përfudimit të lojërave olimpike.

Rindërtimi i Londrës Lindore ishte pjesë e planit të Olimpiadës 2012 që nga fillimi, me një pastrim të mjedisit, ndërtimin e banesave, dyqaneve, parqeve dhe objekteve sportive. Qëllimi ishte që kjo zonë të bëhej e begatë dhe një pjesë integrale e Londrës.

Prandaj, organizatorët e lojrave krijuan kompaninë Olympics Legacy për të planifikuar çdo gjë nga fillimi. Kompania premtoi ndërtimin e parqeve, objekteve sportive të cilësisë së lartë, krijimin e vendeve të punës dhe një ekonomi lokale më të gjallëruar.

Peter Tudor është një nga zyrtarët e lartë të kompanisë.

"Në këtë park është investuar. Përpara ai ishte si shkretëtirë. Ka pasur disa fabrika këtu. Ka pasur disa zona të pashfrytëzueshme. Kishte shumë plehra. Por tani ky është një park i bukur dhe më i riu i qytetit”.

Pjesa më e madhe e zonës ku tani është Parku Olimpik ishte e braktisur ose e pushtuar nga fabrikat dhe bizneset. Njëri prej tyre ishte biznesi i peshkut Forman and Sons, i drejtuar nga Lance Forman, i cili vendosi ta ndërtonte fabrikën e tij të re, së bashku me një restorant, galeri arti dhe një ndërtesë për argëtim, vetëm disa qindra metra nga objekti i vjetër, pranë Stadiumit të ri Olimpik.

“Njerëzit që kanë jetuar në Londër gjithë jetën e tyre vijnë këtu për të ndjekur aktivitetet olimpike, ndalojnë te restoranti ynë dhe janë të befasuar me këtë pjesë të Londrës që më parë për ata nuk ekzistonte. Unë mendoj se në kohën kur do të zhvillohen Lojrat Olimpike, këtu do të ketë gjysmë milion njerëz çdo ditë. Atyre do t’u pëlqejë kjo pjesë e qytetit dhe ata do të kthehen këtu”.

Por disa banorë nuk janë të kënaqur me zhvillimet që kanë sjellë përgatitjet për Lojrat Olimpike, përfshirë aktivistin Julian Cheyne të cilit i prishën shtëpinë për të krijuar hapësirë për ndërtimin e parkut.

“Nuk them se nuk ka pasur një transformim. Çështja është se a është ky një transformim i dëshirueshëm dhe i mirë. Gjuha që është përdorur për të përshkruar këtë pjesë të qytetit si një “shkretëtirë urbane” nuk është e saktë”.

Zoti Cheyne beson se njerëzit që jetojnë pranë objekteve olimpike nuk do të përfitojnë nga ato dhe sipas tij, zhvillimi kishte filluar gjithsesi.

Ndikimi i Lojrave Olimpike në pjesën Lindore të Londrës nuk do të ndjehet për vite e ndoshta dekada me rradhë. Por Peter Tudor ka një mendim tjetër.

“Ne kemi planifikuar për këtë për një kohë të gjatë dhe mezi presim që të fillojmë punën në park. Ne mund të bëjmë një ndryshim në këtë infrastrukturë. Kthehuni këtu pas disa vitesh dhe do t’i shihni ndryshimet që kemi bërë”.

Duke marrë parasysh premtimet e pa realizuara në disa qytete të tjera olimpike në të kaluarën, shumë njerëz besojnë se edhe në Londër po ndodh e njëjta gjë.
XS
SM
MD
LG