Lidhje

Akuza për sulm ndaj ambasadës amerikane në Beograd


Trazirat në Beograd kundër pavarësisë së Kosovës

Trazirat në Beograd kundër pavarësisë së Kosovës

Ambasada amerikane tha se vënia para drejtësisë e sulmuesve të ambasadës dhe hetimet për vrasjen e vëllezërve Bytyçi, janë përparësi.


Autoritetet në Serbi thanë se kanë ngritur akuzë ndaj 12 personave për përfshirje në trazirat që pasuan shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke i vënë zjarrin ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd.

Të gjithë ata akuzohen nën dyshimet se kanë kryer, “akte të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” dhe për sjellje të dhunshme. Nëse shpallen fajtorë, ata mund të dënohen deri në 12 vjet heqje lirie.

Disa qindra veta sulmuan ambasadën amerikane më 21 shkurt të vitit 2008, në shenjë zemërimi ndaj mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall më 17 shkurt të atij viti.

Një person kishte humbur jetën gjatë trazirave kur sulmuesit hodhën gurë, thyen dritaret dhe i vunë zjarrin ambasadës amerikane, ndërsa sulmuan edhe disa ambasada tjera perëndimore në Beograd.

Nëntë nga 12 të akuzuarit ishin në paraburgim, ndërsa të gjitha ata do të mbrohen në liri. Ende është e paqartë se kur do të mund të fillojë procesi gjyqësorë.

Ngritja e akuzës është mirëpritur nga ambasada amerikane në Beograd. Agjencitë serbe të lajmeve cituan një njoftim nga ambasada në të cilin thuhet se “është me rëndësi që para drejtësisë të vihen jo vetëm ata që morën pjesë në sulm, por edhe ata që kishin autorizime dhe kanë urdhëruar ose mbështetur këtë shkelje të drejtësisë vendase e ndërkombëtare”.

Zyrtarë të ambasadës citohen të kenë thënë se “vënia para drejtësisë të atyre që i vunë zjarrin ambasadës, bashkë me hetimet për vrasjen e vëllezërve Bytyçi, janë përparësi”, duke ju referuar vrasjes se tre shtetasve amerikanë me origjinë shqiptare, pak ditë pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Në muajin korrik të vitit 1999, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë. Një gjykatë në qytetin e Prokuples i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.

Katër ditë para skadimit të dënimit, ata janë marrë nga burgu dhe janë dërguar në Petrovo Selo ku janë vrarë nga afërsia. Trupat janë gjetur në varrezë masive me duar të lidhura me tela.

Të tre vëllezërit ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Autoritetet amerikane u bënë këto ditë thirrje autoriteteve serbe që të bëjnë me shumë për të vënë para drejtësisë autorët e vrasjes, që edhe 13 vjet pas përfundimit të luftës mbeten të panjohur.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG