Lidhje

Siguria e gazetarëve, problem serioz


Raporti më i fundit i organizatës “Reporterët pa Kufi” thotë se gjatë vitit 2012 janë futur në burg 163 gazetarë

OKB-ja thotë se çdo vit në botë vriten një numër I madh gazetarësh dhe shumë pak nga autorët e vrasjeve janë nxjerrë para drejtësisë.

Korrespondentja amerikane e luftës Maria Colvin dhe fotoreporteri francez Remi Ochlik u vranë në Siri më 22 shkurt. Ata ishin mes 65 gazetarëve të vrarë në 5 muajt e parë të vitit 2012. Sipas agjencisë zvicerane të lajmeve ATS, kjo shifër është 50 për qind më e lartë se vitin e kaluar. Të paktën 15 prej viktimave humbën jetën në Siri, 7 në Meksikë dhe 6 në Somali.

Raporti më i fundit i organizatës “Reporterët pa Kufi” thotë se gjatë vitit 2012 janë futur në burg 163 gazetarë.

“Në se i hedhim një vështrim raportit të vitit të kaluar, duket se përsa i përket nivelit të burgosjes, dhe humbjes së jetës së gazetarëve, ndeshemi me një problem tepër serioz.”

Këtë vit, hetuesi i posaçëm i OKB-së për Ekzekutimet Arbitrare, Christof Heyns, e përqëndroi raportin e vet vjetor tek mbrojtja e jetës së gazetarëve.

“Nga statistikat, të krijohet përshtypja se gazetarët më të kërcënuar janë ata që mbulojnë konfliktet e armatosura. Por në fakt dy të tretat e vdekjeve mes gazetarëve ndodhin jo në vendet ku ka konflikte të armatosura. Një situate tipike e vrasjes së gazetarëve është kur vriten gazetarë lokalë që punojnë për radio, gazeta apo në internet.”

Hetuesi i Posaҫëm i OKB-së për Lirinë e Shprehjes, Frank La Rue thotë se nevojitet përkushtim për hetimin dhe dënimin e personave që kryejnë sulme, vrasin, apo burgosin gazetarët.

“Unë mendoj se duhet të ekzistojë një kaluzolë që përcakton si krim ndjekjen, apo dhunën ndaj gazetarëve. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse do të garantonte një mënyrë më të mirë për mbrojtjen e gazetarëve. Ka gazetarë, të cilët ndodhen në rrezik të madh në situata ku nuk ka konflikte, por ka dhumë të jashtëzakonshme, si psh nga krimi i organizuar, apo nga regjimet autoritare.”

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve njofton se thuajse gjysma e 179 gazetarëve të burgosur në vitin 2011, ishin blogerë, raportimet e të cilëve publikoheshin në internet.
“Unë jam nga Azerbaxhani. Kemi një rast, psh, kur patëm konkurimin e Eurovizionit, që u ndoq nga më tepër se 120 milionë njerëz nga e gjithë bota dhe një komunitet shumë i vogël aktivistësh të gazetarisë u përpoqën të tërheqin vëmendjen për shkelje të të drejtave të njeriut në Azerbaxhan.”

Emin Milli është bloger. Ai është disident dhe ka qenë i burgosur për 16 muaj për idetë e tij në Azerbaxhan. Ai thotë se tani që ka mbaruar konkursi i Eurovizionit është larguar edhe vëmendja e mediave ndërkombëtare.

“Siç e parashikoja, qeveria filloi të verë në shënjestër aktivistë dhe gazetarë. Koordinatori i medias për fushatën “Sing for democracy”, Mehman Huseynov, është vënë në shënjestër, është arrestuar dhe liruar me kusht, por akuzat ndaj tij nuk janë hequr.”

Zyrtarja e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, i këshillon të 56 vendet anëtare në OSBE që ta ruajnë lirinë e shtypit. Ajo thotë se kjo nganjëherë përfshin evidentimin dhe qortimin e vendeve që nuk i mbajnë premtimet për mbrojtjen e gazetarëve.

“Kur është fjala për dhunën ndaj gazetarëve, asgjë nuk duhet zgjidhur përmes diplomacisë së qetë. Në se dikush frikësohet, kërcënohet, apo burgoset, për të mos përmendur vrasjet, të gjithë duhet ta dimë. Kjo është një çështje në interesin e të gjithë publikut.”

Të gjitha agjencitë e OKB-së kanë miratuar një plan veprimi të propozuar nga UNESCO, lidhur me sigurinë e gazetarëve dhe mbi çështjen e mosndëshkimit. Mënyrat e integrimit dhe mbrojtjes së gazetarëve në programet e zhvillimit do të diskutohet në Nëntor në një takim ndërkombëtar në Vienë.

Ekspertë të të Drejtave të Njeriut thonë se gazetarët e venë veten në rrezik kur hetojnë për veprimet e qeverive, kompanive të mëdha dhe krimit të organizuar. Por ata theksojnë se këto rreziqe shtohen kur qeveritë e vendeve të ndryshme nuk i mbrojnë ata që rrezikojnë jetën e tyre gjatë përpjekjeve për të ekspozuar korrupsionin.
XS
SM
MD
LG