Lidhje

Përmirësimi i teknologjisë dhe mënyrave të komunikimit në përgjigje të papunësisë


Rising Youth Unemployment Endangers Africa's Stability
Rising Youth Unemployment Endangers Africa's Stability
Rreth 350,000 vetë që sapo kanë humbur punën nënshkruan kërkesat për asistencë sociale në fillim të këtij muaji, një ndër arsyet përse ritmet e papunësisë mbeten zyrtarisht të larta, tek 8.2 për qind. Disa biznese thonë se do të punësonin më shumë njerëz nëse do të gjenin punëtorë të kualifikuar. Korrespondenti Jim Randle njofton se përmirësimi i teknologjisë dhe mënyrave të komunikimit mund të ndihmonte për t’i gjetur një zgjidhje këtij problemi.

Kreu i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Angel Gurria, thotë se edhe njerëzit më të arsimuar kanë pasur vështirësi të gjejnë punë:

"Ka studentë të sapo-diplomuar që nuk kanë gjetur punë, ndërkohë që ka biznesmenë që kërkojnë njerëz me aftësitë e këtyre të rinjve. Pra është e qartë se ka një mospërputhje këtu, një paradoks dhe tragjedi”.

Zyrtarët e Organizatës pës Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik thonë se më shumë se 44 milionë vetë janë pa punë në vendet më të pasura që bëjnë pjesë në këtë organizatë.

Në Shtetet e Bashkuara ka afro 13 milionë persona të papunë, ndërkohë që ka 3.6 milionë vende pune të pambushura. Ekspertët thonë se në periudha me papunësi të lartë, disa vende pune mbesin bosh pasi ata që kërkojnë punë nuk kanë kualifikimin e duhur.

Kompania Monster Worldwide po përdor teknologjinë e re për ta zgjidhur këtë problem. Earl Rennison, një ndër zyrtarët e kompanisë thotë se programet kompiuterike që ofrojnë ‘kërkime semantike’ bëjnë të mundur analizimin e një mase të madhe të dhënash, duke i ndihmuar njerëzit të gjejnë punë që u përshtaten kualifikimit të tyre specifik.

Teknologjia e kërkimeve në kompiuter ka ekzistuar prej vitesh, por zoti Rennison thotë se më parë këto kërkime përqëndroheshin vetëm tek disa fjalë specifike, që shpesh përfundonin me rezultate të pakënaqshme nëse fjala ka disa kuptime.

"Dikush mund ta ketë emrin John Ford, ose ndoshta punon për kompaninë Ford, ose ndoshta është diplomuar në Universitetin Ford të Politikave Shtetërore. Pra të gjitha këto dallime në fjalën ‘ford’ duhet të kapen nga programi kompiuterik që bën kërkime”.

Ai thotë se disa kërkime semantike synojnë thjeshtë të kapin fjalët e kërkuara ose shprehje që përfshijnë këto fjalë. Sipas zotit Rennison, analiza e kontekstit ndihmon për të gjetur punën e përshtatshme për një kandidat. Përmirësimi i programeve kompiterike do të ndihmojë për t’u ofruar kandidatëve më shumë zgjedhje dhe do të rezultojë në ritme më të larta punësimi.

Kreu i një kompanie tjetër punësimi të quajtur "Beyond-dot-com" ((Beyond.com )) thotë se një tjetër problem është fakti që njerëzit që janë ekspertë në identifikimin e kandidatëve të duhur për punën e duhur, ishin të parët që humbën punën kur filloi kriza.

Rich Milgram thotë se do të duhet kohë që kompanitë të rikrijojnë personelin e nevojshëm, edhe nëse punësojnë ekspertë të rinj për zyrat e personelit.

"Këta ekspertë të rinj nuk e kuptojnë mirë biznesin, pasi janë të rinj dhe pasi nuk kanë krijuar një komunikim të mirëfilltë me menaxherët”.

Ai thotë se kompanitë kanë nevojë për punonjës cilësorë që të dinë si t’i shkruajnë njoftimet për vende pune, të cilat duhet të jenë të sakta dhe të kuptueshme, ndërsa ata që kërkojnë punë duhet të dinë si t’ua shpjegojnë këtyre kompanive se çfarë kontributi ofrojnë me eksperiencën e tyre.

Zoti Milgram thotë se shumë nga biznesmenët me të cilët bisedon mendojnë se ekonomia ka filluar të rimëkëmbet, dhe se shumë firma janë të gatshme të mbushin vendet e punës që u mbyllën gjatë krizës.
XS
SM
MD
LG