Lidhje

Bezhani: Ambicia e ekipit shqiptar në Olimpike, një medalje


Kreu i Misionit të Delegacionit Olimpik të Shqipërisë, tha se për të arritur rezultate u morën masa për krijimin e kushteve të mira stërvitore.

Lojërat Olimpike të Londrës fillojnë në premten më 27 korrik dhe flaka olimpike po vazhdon rrugëtimin për të mbërritur në Stadiumin Olimpik ditën e ceremonisë hapëse. Ndërkohë skuadrat e shteteve pjesëmarrëse tashmë kanë shkuar në Londër, ku krahas takimeve dhe ceremonive paraprake me zyrtarët e olimpikeve kanë filluar edhe stërvitjen e orëve të fundit.

Në programin televiziv “Ditari” ishte i ftuar për një bisedë nga studio e Londrës Kreu i Misionit të Delegacionit Olimpik të Shqipërisë, Viron Bezhani.

Zoti Bezhani tha se ambicia e delegacionit shqiptar është realizimi i endërrës për të marrë një medalje dhe për të ngritur flamurin shqiptar në Stadiumin Olimpik dhe se mendon që ekipi shqiptar është shumë pranë realizimit të kësaj ëndërre.

Kreu i Misionit të Delegacionit Olimpik të Shqipërisë, tha se për të arritur rezultate, Komiteti Olimpik mori disa masa për t’i krijuar sportisëve një mjedis sa më mirë, për t’u stërvitur në kushte gare, në mënyrë që ata të japin rezultatin maksimal. Por ai shtoi se duhet bërë më tepër për krijimin e kushteve për sportistët dhe në këtë aspket është i nevojshëm, bashkëpunimi me bashkitë, për krijimin e terreneve sportive.

Zoti Bezhani foli edhe për çështjen e emigrimit të sportistëve. Ai tha se ndonëse ky fenomen nuk është një gjë e mirë për vendin kjo është një zgjedhje e personale e vetë sportistëve.
XS
SM
MD
LG