Lidhje

Turqia, kurdët dhe dilema siriane

  • Dorian Jones

Turkey Syria

Turkey Syria

Zyrtarët turq janë të alarmuar nga kurdët sirianë që vazhdojnë përpjekjet për kontrollin e qyteteve pranë kufirit turk

Zyrtarët turq kanë paralajmëruar se mund të ndërhyjnë në Siri, duke thënë se nuk do të lejojnë që rebelët kurdë të përdorin territorin sirian si një bazë. Paralajmërimet vijnë ndërsa Turqia shton forcat e saj përgjatë kufirit 900 kilometrash që e ndan me Sirinë.

Zyrtarët turq janë të alarmuar nga kurdët sirianë që vazhdojnë përpjekjet për kontrollin e qyteteve pranë kufirit turk ndërsa qeveria siriane përleshet me forcat rebele në të gjithë vendin.

Të dielën, Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu lëshoi një paralajmërim.


"Ne nuk do të lejojë formimin e një strukture terroriste pranë kufirit tone. Nuk ka rëndësi nëse kjo është al-Kaida ose Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Ne do t'a konsiderojmë atë një çështje të sigurisë kombëtare dhe do të marrim çdo masë."

Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan lëshoi një kërcënim të ngjashëm javën e kaluar.

PKK-ja, e listuar si një organizatë terroriste nga Ankaraja dhe shumë vende të tjera, u hodh në kryengritje në juglindje të Turqisë në vitin 1984, duke shkaktuar një konflikt që ka marrë rreth 45.000 jetë. Turqia rregullisht bombardon zonat që dyshohen si baza të PKK-së në Irakun verior.

Gazetari turk për çështje të mbrojtjes, Metehan Demir, thotë se veprimi i ngjashëm ushtarak në Siri nuk mund të përjashtohet.

"Turqia do ta shohë këtë territor si një bazë të PKK-së. Në varësi të kësaj situate, Turqia mund të ndërmarrë një operacion."

Ankaraja ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur për të ndërhyrë në Siri.

Marrëdhëniet mes ish-aleatëve të ngushtë politikë, Turqi – Siri, u prishën ndërsa zyrtarët turq kritikuan përgjigjen e dhunshme të presidentit sirian Bashar Asad ndaj kryengritjes kundër sundimit të tij. Marrëdhëniet u përkeqësuan më tej kur Siria rrëzoi një avion ushtarak turk më 22 qershor.

Dhjetorin e kaluar, zoti Erdogan sugjeroi se vendi i tij mund të krijojë një strehë të sigurt në Siri për njerëzit që i ikin dhunës. Por, - pavarësisht numrit në rritje të refugjatëve sirianë që hyjnë në Turqi - Ankaraja është përmbajtur nga një veprim të tillë.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Soli Ozel thotë se në Turqi ka shumë pak mbështetje publike për ndonjë ndërhyrje në Siri.

"Unë nuk shoh ndonjë entuziazëm nga ana e popullatës në përgjithësi për një ndërhyrje, edhe nëse është kundër kurdëve".

Ndoshta më shumë shqetësuese për Ankaranë janë pyetjet se sa e përgatitur është ushtria e saj. Rreth një e pesta e gjeneralëve të ushtrisë janë në burg si të dyshuar për të rrëzuar qeverinë e tanishme me bazë islamike.

Një faktor tjetër shqetësues është kërcënimi i armëve kimike të Sirisë. Më parë këtë muaj, Damasku paralajmëroi se mund të përdorë armë të tilla kundër çdo ndërhyrjeje të huaj.

Gazetari turk për çështje të mbrojtjes, Demir thotë se kërcënimi ka shkaktuar shqetësime në Ankara.

"Është një shqetësim i madh për Turqinë, prandaj edhe ajo ka dislokuar disa njësi ekspertësh për armë kundër kimike."

Analistët thonë se çdo ndërhyrje ushtarake është e mbushur me rreziqe. Por me pak mbështetje publike për ndërhyrje në Siri, një rigjallërim i kryengritjes kurde dhe me shumë prej gjeneralëve të saj në burg, për Turqinë rreziqet e një operacion të tillë do të jenë të konsiderueshëm

Trego komentet

XS
SM
MD
LG