Lidhje

Shqetësime rreth mundësisë së një krize ushqimore


Instituti kërkimor për politika ndërkombëtare të ushqimit vazhdon të rekomandojë shtimin e investimeve bujqësore në vendet në zhvillim

Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi kryesor i misrit dhe sojës - dy prodhime që vendet në zhvillim mbështeten. Megjithatë, gjatë dy muajve të fundit, çmimet janë rritur ndjeshëm ndërsa Amerika përjeton thatësirën e saj më të keqe që nga viti 1950. Një ekspert i politikës ushqimore thotë se një mënyrë e bashkërenduar efektive në përgjigje të thatësirës mund të ndihmojë në parandalimin e një krize globale të ushqimit.

Më shumë se gjysma e Shteteve të Bashkuara është duke përjetuar problem të dyfishtë; shumë pak shi dhe temperatura shumë të larta. Shenggen Fan, drejtor i Institutit kërkimor të Politikave ndërkombëtare të Ushqimit, thotë se kjo klimë është jo vetëm duke rritur çmimet, por po kontribuon edhe në paqëndrueshmërinë e çmimeve.

"Shtetet e Bashkuara luanjnë një rol të madh në sigurinë ushqimore botërore. SHBA është eksportuesi më i madh i sojës, misrit dhe prodhimeve të tjera ushqimore. Pra, çdo gjë që ndodh në Amerikë do të ketë rëndësi globale."

Rënia e prodhimit të misrit ka rritur çmimet 30 për qind në dy muajt e fundit. Çmimet e sojës janë rritur deri 19 për qind.

"Shiu fundjavën e kaluar mund të ketë ndihmuar pak, por thatësira mund të kthehet dhe do të vazhdojë të ndikojë si në prodhimin e sojës edhe të misrit."

Çmimi që ngrihet për misër dhe sojë mund të kenë një efekt të madh negativ në një mall tjetër të rëndësishëm - grurin.

"Çmimet e grurit kanë ndjekur çmimin e misrit, dhe kjo do të ketë ndikim më shumë në disa vende të varfëra në Lindjen e Mesme. Shumë vende importojnë grurë jo vetëm nga Amerika, por edhe nga vendet e tjera."

Eksperti Fan thotë se thatësira në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera nuk janë rezultat i ndryshimeve stinore të rastit.

"Është e qartë se ngjarjet ekstreme të motit kanë ardhur duke goditur më shpesh. Dhe kjo nuk është vetëm këtu në SHBA, por edhe në pjesë të tjera të botës. Më shumë thatësira dhe ngrohje në Rusi, më shumë përmbytje në Kinë. India është duke përjetuar një klimë që do të ndikojë në prodhimin e orizit. Pra, padyshim ndryshimet e klimës po ndikojnë në prodhimin botëror të ushqimit."

Kina është importuesi më i madh në botë i sojës që përdoret për ushqimin e bagëtive, dhe një rritje e çmimeve të sojës, mund të çojë në çmime më të larta të mishit. Vendet e Amerikës Latine janë në një situatë të ngjashme.

Drejtori i përgjithshëm i Institutit kërkimor të Politikave ndërkombëtare të Ushqimit ka bërë një numër rekomandimesh - një nga të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në politikën amerikane të energjisë.

"Biokarburantet përdorin ndoshta 30 përqind të misrit të SHBA. Dhe duke pasur parasysh çmimin shumë të lartë të misrit tani, do të ishte mirë për të ndaluar përdorimin e misrit për prodhimin e biokarburanteve, përfshi etanolin. Ekzistojnë standarte për ruajtjen e nivelit të etanolit në karburant, por mendoj se tani për tani nga kjo duhet hequr dorë, si këtu edhe në Evropë."

Eksperti Fan gjithashtu këshillon agjencitë e ndryshme të OKB-së dhe Bankës Botërore të vëzhgojnë nga afër situatën. Kjo do t'i lejojë ato të marrin veprim të shpejtë në çdo emergjence. Ai thotë se vendet prodhuese të mëdha të ushqimeve duhet të kontrollojnë vazhdimisht rezervat ushqimore, veçanërisht ato të grurit, dhe paralajmëron këto vende që të mos imponojnë ndalime në eksportimin e ushqimit.

"Nëse nuk marrim masa, kam frikë se një krizë tjetër ushqimore do të vijë dhe shumë shpejt. Pra, kjo është arsyeja pse ne duhet të veprojmë së bashku. Kriza ende nuk ka ardhur, por nëse nuk veprojmë së bashku kam frikë se kriza do të vijë."

Instituti kërkimor për politika ndërkombëtare të ushqimit vazhdon të rekomandojë shtimin e investime bujqësore në vendet në zhvillim për të lehtësuar paqëndrueshmërinë e çmimeve të ushqimeve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG