Lidhje

Vdes kompozitori i njohur Marvin Hamlisch


Hamlisch kompozoi muzikë për më shumë se 40 filma, për shfaqe në Broadway e televizion

Kompozitori i njohur amerikan dhe dirigjent Marvin Hamlisch vdiq pas një sëmundjeje të shkurtër - familja e tij njoftoi të martën. Ai ishte 68 vjeç.

Hamlisch kompozoi muzikë për më shumë se 40 filma, përfshi muzikën dhe këngët për filmin "The Way We Were", me aktorët Barbra Streisand dhe Robert Redford.

Ai gjithashtu mori një çmim Oscar për kompozimin e muzikës së filmit The Sting, ku luajnë Robert Redford dhe Paul Newman. Për këtë film, Hamlisch përshtati muzikën e kompozitorit Scott Joplin.

Hamlisch kompozoi për shfaqet në Broadway, për të cilat u nderua me çmimin Pulitzer.

Gjatë karierës së tij, Hamlisch fitoi 3 çmime Oscar (kinematografi); 4 çmime Grammy (industria e muzikës); 4 çmime Emmy (televizion); 1 çmim Pulitzer (për arritje në gazetari dhe gazetarinë online, letërsi ose kompozime muzikore); 1 çmim Tony (për teatër në Broadway); dhe 3 çmime Globi i Artë (për përsosmëri në film dhe televizion).

Ai ishte edhe dirigjent i muzikës klasike dhe gjysmë-klasike për disa orkestra simfonike kryesore amerikane.

Hamlisch njihet edhe si studenti më i ri në moshë që ka fituar pranimin në shkollën e njohur të muzikës Juilliard në Nju Jork.

Marvin Hamlisch vdiq të martën në moshën 68 vjeçare.
XS
SM
MD
LG