Lidhje

Mitt Romney dhe konservatorët brenda partisë


republican convention
republican convention

Kandidati presidencial republikan Mitt Romney ka një sfidë të komplikuar në kuvendin kombëtar të partisë së tij për emërim

Kandidati presidencial republikan Mitt Romney ka një sfidë të komplikuar në kuvendin kombëtar të partisë së tij për emërim në Tampa, Florida, këtë javë. Z.Romney duhet të kapërcejë dyshimet në mesin e disa republikanëve se ai është vërtetë konservator dhe në të njëjtën kohë të gjejë një mënyrë për të tërhequr votuesit e pavendosur të moderuar për zgjedhjen në nëntor.

Mitt Romney fitoi emërimin republikan përmes procesit të gjatë të zgjedhjeve paraprake. Por ai vazhdimisht ka pasur probleme për të fituar përkrahjen e aktivistëve konservatorë brenda partisë së tij.

Disa nga ish-rivalët e z. Romney janë mbledhur rreth tij këtë javë në Tampa në përpjekje për të qetësuar dhe për të bashkuar konservatorët e Partisë Republikane.

Herman Kaini, ish-rival, mbetet shumë popullor mes konservatorëve. Ai i tha Zërit të Amerikës se është duke punuar për të tërhequr konservatorët për rreth kandidatëve Romney- Ryan.

Zgjedhja e Paul Ryanit si kandidat për nënpresident kënaqi shumë konservatorë në parti, duke përfshirë një tjetër ish-rival, Michele Bachmann nga Minesota.

"Unë e njoh Paul Ryan dhe kam punuar me atë për gjashtë vite. Jam shumë e sigurt në lidhje me dyshen Romney - Ryan. "

Z. Romney ka fituar përkrahjen e konservatorëve të politikës së jashtme, si ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Bolton.

"Unë mendoj se ajo që kemi nevojë është një kthim në politikën e jashtme të paqes përmes fuqisë, politikë që ish-presidenti Reagan ndoqi. Mendoj se kjo është ajo që guvernatori Romney ka theksuar dhe që do t'a dëgjojmë të artikuluar këtu në kuvend".

Analisti Norman Ornstein thotë se fjalimi i z. Romney për pranimin e kandidaturës - fjalim që pritet t'a mbajë të enjten - do të jetë një moment kritik në fushatë.

"Romney do të jetë në gjendje të ketë një trampolinë për fushatën e tij dhe kornizë rreth idesë se ai do të qeverisë në mënyrë efektive, ndryshe nga presidenti Obama."

Një tjetër analist, Jeff Greenfield, thotë se z. Romney duhet të bëjë më shumë se sa thjesht të kritikojë të dhënat ekonomike të presidentit Obama. Analisti Greenfield thotë se z. Romney duhet t'u ofrojë votuesve specifikat se si ai do të nxisë rritjen ekonomike dhe vendet e punës.

Por një gjë duket qartë në Tampa, se republikanët janë të bashkuar në qëllimin e tyre për t'u përpjekur t'i mohojnë Presidenti Obama një mandat të dytë.
XS
SM
MD
LG