Lidhje

Spanjë, rritet taksa mbi vlerën e shtuar


SPAIN RESTAURANT

SPAIN RESTAURANT

Kjo rritje pritet ta zhysë Spanjën edhe më thellë në recesion - të paktën fillimisht - dhe kundërshtimi ndaj kësaj mase ndjehet kudo

Taksa mbi vlerën e shtuar në Spanjë u rrit nga 18 në 21 për qind më 1 shtator, rritja më e madhe kjo në historinë e këtij vendi. Kjo rritje pritet ta zhysë Spanjën edhe më thellë në recesion - të paktën fillimisht - dhe kundërshtimi ndaj kësaj mase ndjehet kudo.

Duke përballuar stuhinë ekonomike, Fernando Vázquez Rojas hapi tre restorante në katër vitet e fundit në Sevilje, ku klientët mund të darkojnë për më pak se 20 euro për person - pak më shumë se 25 dollarë.
Biznesi ka qenë veçanërisht i mirë në rrugën Torneo ku ndodhen restorantet, por pasojat e rënies së shpenzimeve të konsumatorëve janë nddjerë dhe të ardhurat nga biznesi janë ulur që nga prilli me 15-20 për qind, në varësi të momentit, thotë Rojas.
Taksa mbi ushqimin në restorante do të rriten me dy për qind, nga 8 në 10 për qind. Por Rojas nuk është i shqetësuar.

“Jam me fat. Do t’I rrisë çmimet së bashku me taksën. Kjo do të thotë ndoshta 20 cent apo 50 cent për person. Nuk është ndonjë rritje e konsiderueshme."

Por ndryshimi i normës së TVSH-së të reduktuar do të zbatohet ndër të tjera edhe për strehimin, transportin, syzet, biletat e muzeumeve dhe në hotele, ndër të tjera. Norma standarde e TVSH-së, që mbulon praktikisht shumicën e artikujve dhe shërbimeve, do të rritet nga 18 në 21 për qind.
Disa prodhime, si artikujt shkollorë do të futen në një tjetër kategori dhe do të taksohen 13 për qind më shumë. Ky është pa dyshim një ndryshim i madh për një vend që dikur kishte taksat më të ulta në Evropë.
Ekonomisti Javier Díaz-Giménez, jep mësim në shkollën IESE të Biznesit në Madrid.

“Taksat më të larta janë 23 përqind në Greqi, Portugali dhe Irlandë, dhe tani Spanja po shkon mbi normën mesatare duke ju afruar maksimumit.”

Si pjesë e paketës së masave shtrënguese të paralajmëruara në korrik nga kryeministri Mariano Rajoy, rritja e taksave pritet të sjellë gati 25 miliardë dollarë në arkat e shtetit gjatë dy vjetëve të ardhshëm, para për të cilat Madridi ka mjaft nevojë për të përmbushur kushtet e vështira të vendosura nga evropianët për deficitin. Por reformat janë përballur me kundërshtime të fuqishme.

Presidenti i shoqatës kombëtare të këshilltarëve financiarë, Antonio Duran-Sindreu, i tha televizionit publik spanjoll se rritjet e taksave do të thonë "vdekje nga asfiksimi" për bizneset, dhe se “qeveria duhet të përpiqet të nxisë konsumin”.
Tani, konsumatorët spanjollë do të shpenzojnë më pak, thotë ekonomisti Javier Díaz-Giménez.

"Nuk mendoj se dikush do të dalë i fituar. Mendoj se disa njerëz do të humbasin më shumë se të tjerët. Barra e taksave, e çdo takse, nuk është e shpërndarë në mënyrë të barabartë tek të gjithë."

Ekonomisti Díaz-Giménez thotë se taksat e larta ndikojnë në mënyrë disproporcionale tek të varfërit dhe barra tatimore rritet me moshën.
Pensionisti Manuel Chaparro thotë se do të kursejë sa të mundet duke mos ngrënë në restorante dhe duke ngarë makinën më pak. Ky është një lajm jo i mirë për bizneset.
Industria spanjolle e turizmit parashikon humbje gati 2 presje 5 milion dollarë në vit, duke ndikuar në dhjetra mijëra vende pune.

Sektori i shitjes së automobilëve gjatë muajve të ardhshëm të këtij viti do të bjerë me 25 mijë.

Shumë dyqanë të shitjeve me pakicë si firma Mango, kanë njoftuar se do të ulin çmimet dhe do t’i përballojnë vetë shtimin e taksave për të shmangur uljen e shitjeve.

Fernando Vázquez Rojas beson se për restorantin e tij ndikimi do të jetë i përkohshëm dhe do të zgjasë ndoshta dy muaj.

Ai është optimist i rrallë në një vend ku shpresa dhe besimi në të ardhmen tani janë me rezerva.
XS
SM
MD
LG