Lidhje

Demonstrata anti-amerikane në Egjipt, Libi


egypt

egypt

Protestuesit në të dy vendet thonë se një film i prodhuar në Shtetet e Bashkuara është fyes për Profetin Muhamed.

Një shtetas amerikan u vra dhe një tjetër u plagos dje në Libi ndërsa një grup militantësh sulmoi konsullatën amerikane në Bengazi, gjatë një proteste kundër një filmi që ata thonë se fyen Islamin.

Një turmë e zemëruar e mbledhur jashtë konsullatës i vuri zjarrin ndërtesës.

Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi sulmin dhe tha se qeveria është duke punuar me libianët që të sigurojnë kompleksin. Me anë të një deklarate, Departamenti i Shtetit tha se SHBA dënon "në termat më të ashpër këtë sulm në misionin tonë diplomatik."

Demonstrata anti amerikane kundër filmit u zhvilluan edhe jashtë ambasadës amerikane në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro. Protestuesit në të dy vendet thonë se filmi i prodhuar në Shtetet e Bashkuara është fyes për profetin Muhamed.

Të paktën 2.000 demonstrues u mblodhën jashtë ambasadës në kryeqytetin egjiptian. Disa protestues hypën mbi mur, ulën flamurin amerikan dhe e zëvendësuan atë me një flamur islamik. Demonstratat vazhduan në mbrëmje.

Një zyrtar në ambasadë i tha Zërit të Amerikës se të gjithë të punësuarit në kompleks ishin të sigurt.

Nuk është e qartë nëse dy incidentet ishin të bashkërenduara.

Raportet e mediave thonë se filmi rreth profetit Muhamed u financua nga anëtarët e grupit të mërgimtarëve kopt të krishterë të Egjiptit.

Protestat përkuan me 11 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG