Lidhje

Netanjahu: Ndaj Iranit duhet vepruar ushtarakisht


Israel
Israel

Zyrtarët amerikanë vazhdojnë të këmbëngulin se sanksionet ekzistuese ende mund t'a bindin Iranin të heqë dorë nga programi i tij bërthamor

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu thotë se Irani është vetëm disa muaj larg nga përftimi i një bombe bërthamore, dhe se veprimi paraprak ushtarak është përparësi e preferueshme ndaj një Irani me armë bërthamore. Zyrtarët amerikanë vazhdojnë të këmbëngulin se sanksionet ekzistuese ende mund t'a bindin Iranin të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.

Kryeministri Netanyahu i tha një audience televizive amerikane se Irani është në 'sprint final' për një armë bërthamore.

"Ata janë shumë afër. Ata janë gjashtë muaj larg për të patur uraniumin e pasuruar, që do të thotë 90 për qind e punës për një bombë atomike ".

Kryeministri izraelit foli në televizionin NBC në programin “Meet the Press”, disa ditë pas qortimit të komunitetit ndërkombëtar duke thënë se ka dështuar të vendosë qartë "vijën e kuqe" në programin bërthamor të Iranit që do të shkaktonte një reagim ushtarak. Zoti Netanyahu përsëri argumentoi për një sjellje më agresive ushtarake ndërkombëtare ndaj Teheranit, duke thënë se veprimi paraprak është e keqja më e vogël mes dy të këqijave.

"Shumë udhëheqës më telefonojnë për të më thënë ‘Mos vepro, nuk është e nevojshme. Rreziku është shumë më i madh nëse veprohet’, dhe unë gjithmonë them se rreziku për të mos vepruar në kohë, është shumë më i madh. Sepse një Iran me armë bërthamore do të thotë se lloji i fanatizmit që sulmoi ambasadat tuaja do të ketë një armë bërthamore."

Pozita e udhëheqësit Izraelit është në kontrast me atë të administratës Obama. Në programin “Meet the Press” ndodhej edhe ambasadorja e Amerikës në Kombet e Bashkuara, Susan Rice, e cila tha se Irani është ende larg pragut të armëve bërthamore.

"Ata nuk janë ende atje. Dhe vlerësimi ynë është - dhe ne e ndajmë këtë rregullisht me homologët tanë izraelitë në komunitetin e zbulimit dhe mbrojtjes - se nuk është koha dhe hapësira për shtimin e presionit, presion që është i pashembullt nëpërmjet sanksioneve që ende japin rezultate. Ndalimi i Iranit nuk është i pamundur. "

Znj. Rajs theksoi se sanksionet ndërkombëtare janë duke rënduar ekonominë e Iranit. Ajo tha se Presidenti Barak Obama është i angazhuar për parandalimin e Iranit nga ndërtimi i një arme bërthamore, por ai do që të shterojë të gjitha alterenativat jo-ushtarake para se të shkojë në luftë.

Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore.

Dallimet e mendimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit mbi Iranin janë duke u theksuar gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Sfiduesi republikan i zotit Obama, ish-guvernatori Mitt Romney, e ka kritikuar presidentin se e ka braktisur Izraelin.

I pyetur në lidhje me akuzën e braktisjes amerikane të Izraelit, kryeministri Netanjahu nuk pranoi të komentojë mbi politikën presidenciale në SHBA, por tha se ai beson se presidenti Obama është i sinqertë në vendosmërinë e tij për të parandaluar Iranin nga ndërtimi i armëve bërthamore.
XS
SM
MD
LG