Lidhje

Nga lypës në mbrojtës i të drejtave të fëmijëve


Kesz

Kesz

Historia e një 13 vjeçari nga Filipinet, kandidat për çmimin ndërkombëtar të paqes për fëmijët

Një djalë i ri nga qyteti Kavite afër Manils në Filipine është kthyer nga lypsar, në mbrojtës të të drejtave të fëmijëve - duke e bërë atë një prej tre finalistëve për Çmimin Ndërkombëtar të Paqes për Fëmijët. Çmimi vjetor, që vlerëson kontributin e shquar në drejtim të luftës ndaj problemeve të fëmijëve, pritet të shpallet këtë javë në Hagë.

Buzëqeshja rrezatuese e Keszit shpërndahet tek fëmijët e veshur keq që e rrethojnë, të cilët kanë kurreshtje për të dëgjuar atë të lexojë një tregim për një miush që shkon në Hënë në kërkim të djathit. Ata janë ulur rreth një tavoline në këtë qendër me një dhomë në Barangay Muzon, një komunitet i varfër në Gjirin e Manilas.

Kesz dhe disa vullnetarë të rinj japin mësime mbi leximin, të drejtat e fëmijëve, higjenën personale dhe mbjelljen e perimeve.

“Shikoj veten tek këta fëmijë. Kur shkoj në qytete të tjera dhe shoh fëmijët në rrugë duke lypur para, shoh veten time si isha më pare. Kjo më motivon për t’i ndihmuar.”

Që kur Kesz-i ishte dy vjeç, ai lypi, vodhi dhe mblidhte plehra në zonën ku banonte familja e tij. Ai thotë se është abuzuar në shtëpi dhe më vonë u largua prej saj.

Një ditë, anëtarët e grupit në mbrojtje të fëmijëve të krishterë të quajtur Klubi 8586, e gjetën duke fjetur Keszin jashtë një dyqan. Efren Penaflorida i kujtohet katër vjeçari i cili sapo u zgjua filloi të kërkonte para.

“Sigurisht që ne nuk japim para… Unë dhe mentori im që është tani edhe kujdestari i tij e ftuam të merrte pjesë në një nga klasat e improvizuara në një karrocë. Në këtë mënyrë mund t’i jepnim të hante dhe të mësonte gjërat bazë.”

Klasa në karrocë është një program alternativë mësimi për fëmijët në rrugë, një lloj mini-shkolle që ofron gjithashtu ushqim dhe sende të higjienës personale.

Themeluesi i Klubit 8586 Harnin "KB" Manalaysay e dërgoi Keszin përsëri në shtëpi me premtimin për të paguar për shkollimin e tij. Por, ai u detyrua përsëri të lypte. Kur ishte pesë vjeç, atë e hodhën mbi një grumbull gomash të djegura nga lypsarë të tjerë rreth një grumbullimi plehrash. Klubi 8586 pagoi për trajtimin e djegieve të tij - por atëherë nëna e tij e braktisi.

“Nëna ime më tha… je më mire në duart e Klubit pasi ata kujdesen për ty. Ajo tha gjithashtu… unë të sjell tersllëk.”

Por fati i Keszit ndryshoi nën kujdestarinë e Manalaysayit dhe drejtuesve të tjerë. Në moshën gjashtë vjeçare ai u bë nxënës i dalluar. Kur mbushi shtatë vjeç, dëshira për ditëlindjen ishte një pikë kthese.

“Dëshira ime ishte që dhuratën që do të merrja ta ndaja me të gjithë… t’u jepja të gjithëve karamele.”

Ai thotë se donte që fëmijët e varfër të kishin ato që ai mori: pandofla, lodra dhe karamele. Ky ishte fillimi i misionit ambicioz të Keszit. Dhuratat për ditëlindje më pas përfshinë veshje, sende të higjenës personale dhe një mesazh të thjeshtë për fëmijët për të mos humbur shpresën sepse edhe ata mund ta ndryshonin një ditë jetën e tyre.
Ndërsa programi u zgjerua, ai dhe një pjesë e vullnetarëve të rinj filluan të ndihmonin mijëra të varfër në Manila. Pranverën e kaluar, Komuniteti për të Ndihmuar Fëmijët u zgjerua përtej Filipineve, duke u shtrirë tek fëmijët e varfër në Indonezi.
Etika e punës së tij është mbresëlënëse, thotë 22-vjeçari vullnetar Klarence Baptista.

“Keszi është si një dritë që ndriçon dhe frymëzon njerëzit me mënyrën e tij të thjeshtë të ndihmës për të tjerët.”

Ka ende kujtesa të së kaluarës së tij të vështirë. Pasi u propozua për Çmimin e Paqes, ai filloi të marrë kërcënime për shkak të vëmendjes së mediave - duke e detyruar atë të qëndrojë larg dhe të përdor vetëm emrin e tij të parë, "Kesz," për të mbrojtur identitetin e tij.
XS
SM
MD
LG