Lidhje

Nxënësit marrin pjesë në restaurimin e një ishulli në Kaliforni

  • Mike O’Sllivan

Santa Cruz Island është një ambient i ruajtur i natyrës

Pak më shumë se një orë larg brigjeve të Kalifornisë Jugore nëse udhëton me traget, ishulli Santa Cruz Island është një ambient i ruajtur i natyrës. Në shekujt e 19 dhe 20, ishulli është përdorur për kultivimin e blegtorisë. Por sot, tokat ujore të këtij ishulli janë duke u restauruar me ndihmën e shtatë vajzave adoleshente.

Ishulli me sipërfaqe prej 25 mijë hektarësh është më i madhi i grupit të ishujve Island Channel. Në të kaluarën aty kanë jetuar indianët autoktonë dhe blegtorët. Koordinatorja e grupit të studentëve Irene Bailey thotë se njerëzimi ka sjellur speciet pushtuese dhe ka ndryshuar ekosistemin e ishullit.

“Ne po bëjmë përpjekje për largimin e specieve të sjella këtu dhe pastaj do të mbjellim barë dhe vegjetacion që do të jetë i mirë për bimët, zogjtë dhe gjëra të tjera që vijnë këtu”.

Nxënësit po mësojnë për speciet e veçanta si dhelpra e ishullit.
Ata janë nga një shkollë e Mesme e Mjedisit në periferi të qytetit Los Anxhelos dhe po marrin pjesë në programin kombëtar Udhëheqësit në Veprim për të Ardhmen e Mjedisit. Programi drejtohet nga grupi Ruajtja e Natyrës, i cili është pronar i pjesës më të madhe të ishullit.

Vajzat po mësojnë rreth diversitetit natyror, thotë nxënësja Keira Adams.

“Kur vizitojmë ishullin me makinë kalojmë nëpër pjesë të cilat duken si rajonet e Amazonit, pjesë të tjera që duken si shkretëtirë, dhe pjesë tjera që duken si pyje tropikale. Pra, kalimi nëpër këtë ishull është shumë interesant pasi ndjehesh sikur po viziton mjedise të ndryshme”.

Disa anëtarë të këtij grupi janë të gëzuar dhe plotë shpresë për karrierën e tyre në fushën e mjedisit, thotë nxënësja Glenda Sanchez.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që brezi ynë po mëson më shumë në lidhje me mjedisin sepse tani ne i dimë problemet me të cilat përballet mjedisi dhe nevojën për të gjetur një zgjidhje për ato”.

Përvoja është gjithashtu duke ndihmuar nxënësit të mësojnë se si të bashkëpunojnë me ata që janë jashtë rrethit të tyre të ngushtë të miqve, thotë Sharon Tam.

“Këtu shoqërohemi me njerëz që normalisht nuk i njohim. Ne jemi bashkë me ata këtu, duhet të punojmë me ta çdo ditë, dhe komunikimi me ta është shumë i rëndësishëm”.

Megjithëse nxënësit mund të kalonin natën në një pjesë tjetër të ishullit, që menaxhohet nga Shërbimi Kombëtar Parqeve, qasja në shumicën e pjesëve të mbrojtura të ishullit është e kufizuar. Por, për katër javë gjatë kësaj vere, këta nxënës kishin mundësinë për ta eksploruar nga afër ishullin larg qytetit të tyre.
XS
SM
MD
LG