Lidhje

SHBA: Zgjedhje jo të lira në Bjellorusi


Belarus
Belarus

Që nga viti 2004, asnjë anëtar i opozitës nuk është zgjedhur në parlamentin bjellorus.

Më 23 shtator, banorët e Bjellorusisë shkuan përsëri në votime, këtë herë për të zgjedhur Dhomën e ulët të parlamentit. Dhe përsëri, procesi ishte thellësisht me të meta dhe rezultati njësoj si i pari.

Vëzhguesit nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, vunë në dukje se zgjedhjet nuk ishin konkurruese, sepse "zgjedhjet e lira varen nga njerëz të lirë për të folur, organiziuar dhe kandiduar për poste publike."

Kjo nuk ndodhi në Bjellorusi edhe në këto zgjedhje. Sipas OSBE-së, shumë politikanë të shquar që mund të kishin pasur një shans për të ndikuar në zgjedhje ose "mbetën në burg ose nuk kishin të drejtë të regjistroheshin për shkak se kishin qenë në burg", ndërkohë që një numër aktivistësh të opozitës u arrestuan para zgjedhjeve. OSBE-ja gjithashtu vuri në dukje se mediat e kontrolluara nga qeveria ndaluan kandidatët e opozitës të paraqiteshin në televizion, ndërsa shtypi shtetëror refuzoi të publikonte programet e tyre zgjedhore.

Në të vërtetë, një javë para zgjedhjeve, dy partitë më të forta të opozitës i tërhoqën kandidatët e tyre dhe u bënë thirrje të gjithë votuesve t'i bojkotonin zgjedhjet plotësisht.

Bjellorusia, një vend me 9 milionë e 500 mijë banorë, ka regjimin më shtypës në Evropë. Nën sundimin e Alyaksandr Lukashenkos, i cili mori presidencën në vitin 1994, Bjellorusia ka vepruar vazhdimisht ndryshe nga fqinjët e saj që me shpejtësi ndërmorrën reforma demokratike dhe të tregut të lirë. Në fakt, sipas agjencive perëndimore të vëzhgimit të votimeve, Bjellorusia nuk ka mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme që nga viti 1995.

Që nga viti 2004, asnjë anëtar i opozitës nuk është zgjedhur në parlamentin bjellorus.

Duke cituar deklaratën e OSBE-së, Shtetet e Bashkuara vënë në dukje se "zgjedhjet parlamentare të 23 shtatorit në Bjellorusi nuk plotësuan standardeve ndërkombëtare dhe nga mënyra se si u zhvilluan ato nuk mund të konsiderohen as të lira dhe as të ndershme." Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje autoriteteve bjelloruse që të marrin masa për të përmbushur angazhimet ndërkombëtare për të mbajtur vërtetë zgjedhje demokratike dhe për të nxitur respektin për të drejtat e njeriut.
XS
SM
MD
LG