Lidhje

Kandidatët presidencialë në fushatë


Kandidati republikan për president, Mitt Romney mbajti një fjalim, në të cilin kritikoi presidentin Barack Obama se ka dështuar për të luajtur rol udhëheqës në çështjet globale – gjë që, sipas tij, ka rritur rrezikun e konfliktit, sidomos në Lindjen e Mesme.

Në fjalimin prej 30 minutash që mbajti në Institutin Ushtarak të Virginias në Lexington, kandidati republikan akuzoi zotin Obama se po përpiqet të krijojë një të çarë mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Kjo, tha ai, i ka "errësuar shpresat për paqe në Lindjen e Mesme dhe ka inkurajuar kundërshtarët e përbashkët, veçanërisht Iranin."

Zoti Romney tha se, në qoftë se zgjidhet, ai do t’i "paralajmërojë udhëheqësit e Iranit se Shtetet e Bashkuara si dhe miqtë e aleatët e tyre nuk do të lejojnë që Irani të ketë aftësi për të prodhuar armën bërthamore”. Ai shtoi se nuk do të ngurronte të vendoste sanksione të reja ndaj Iranit si dhe të rivendoste "praninë e përhershme" të aeroplanmbajtëseve amerikane në Mesdheun Lindor dhe në Gjirin Persik.

Në komentet e tij për politikën e jashtme, Presidenti Obama ka mbrojtur politikën e tij kundër terrorizmit dhe vrasjen e udhëheqësit të al-Kaidës Osama bin Laden. Zoti Obama ka theksuar edhe vendimet e tij për t’u dhënë fund gradualisht luftërave në Irak dhe në Afganistan.

Megjithatë, zoti Romney kritikoi atë që ai e quajti "tërheqje e papritur" e forcave luftarake amerikane nga Iraku - ku, tha ai, fitoret ushtarakë amerikanë janë duke u gërryer nga "dhuna në rritje," nga rigjallërimi i al-Kaidës, dobësimi i demokracisë dhe ndikimi iranian në rritje.
XS
SM
MD
LG