Lidhje

Norodom Sihanuk le pas një histori polarizuese


Norodom Sihanouk

Norodom Sihanouk

Vdekja e ish-mbretit të Kamboxhias i jep fund një epoke

Mbreti Norodom Sihanuk i Kamboxhias u zgjodh nga Franca në vitin 1941 për t’u bërë një udhëheqës-kukull për koloninë e saj.
Por mbreti i ri u bë një forcë bashkuese, e cila e shtyu vendin drejt pavarësisë, të cilën ai e realizoi në vitin 1953. Pastaj Sihanuku abdikoi nga froni dhe shërbeu si sundimtari i vendit për 17 vjetët e ardhshme.
Milton Osborne është studjues në Institutin Lowy të Sidneit dhe autor i dy librave mbi Sihanukun.
“Në Kamboxhia ekziston bindja se periudha e Sihanukut, siç njihet ajo në Kamboxhia, ishte si një periudhë e artë. Njerëzit kanë prirjen të harrojnë periudhën kur ai ishte gati të trajtonte edhe me metoda të frikshme, personat që ai i shihte si armiqtë e tij.”
Mes tyre ishin komunistët e Kamboxhias, të cilët më vonë do të bëheshin Khmer Rouge-ët.
Gjatë luftës së Vietnamit, Sihanuk nuk pati sukses në ndalimin e forcave komuniste të hynin në Kamboxhia, gjë që çoi në bombardimet e forcave amerikane. Ai u rr[zua nga grushti ushtarak i vitit 1970 dhe mërgoi në Kinë dhe Korenë e Veriut.
Dëshira e Sihanukut për të rimarrë pushtetin e detyroi atë të mbante anën e ish-armiqve të tij, komunistëve. Ky ndryshim në politikën e tij e detyroi Sihanukun të krijonte aleanca politike që vazhduan për pjesën tjetër të jetës së tij.
Benny Widyono ka qenë përfaqësues i OKB-së në Kamboxhia në mesin e viteve ’90 dhe autor i librit "Dancing in Shadows: Sihanouk, the Khmer Rouge, and the U.N. in Cambodia" për sundimin e Sihahukut dhe marrëdhëniet me Khmer Roug-in.
“Gjatë asaj periudhe kur ai vazhdonte të ishte me Khmer Rouge-ët, dy miqtë e tij ishin Korea e Veriut dhe Kina, ku ai qëndronte gjatë”.
Lidhjet e mbretit të Kamboxhias me Korenë e Veriut ishin të tilla, që udhëheqësi koreanoverior Kim Il Sung ndërtoi me të një pallat me 60 dhoma në Phenian.
“Ai trajohej si mbret i vërtetë në Korenë e Veriut, në pallatin e tij dhe qeveria koreanoveriore i dha atij si dhuratë edhe dy bodigardë, të cilët ai i kishte kudo me vete.”
Khmer Rouge-ët e kthyen Sihanukun në Kamboxhia, ku ata e përdorën imazhin e tij si një mjet për të fituar legjitimitet. Më pas, ai u vendos si në gjendje arresti në pallatin e tij.
Gjatë atyre viteve, Sihanuk pa me sytë e tij se si Khmer Rouge-ët lanë në gjendje urie dhe vranë rreth dy milionë kamboxhianë.
Në vitin 1979, ai shkoi përsëri në Kinë, ndërsa Vietnami pushtoi Kamboxhian, duke i dhënë fund regjimit të Khmer Rouge-ëve.
Kombet e Bashkuara mbështetën zgjedhjet që ndihmuan në kthimin e Sihanukut në fron, përmes një monarkie kushtetuese. Por ai kishte pushtet të kufizuar ndërsa djali i tij, Norodom Ranatidh, e ndau postin e kryeministrit me Hun Sen-in.
Mbreti Sihanuk nuk e rifitoi asnjëherë ndikimin që ai pati dikur në Kamboxhia, për të cilën Benny Widyono, përfaqësuesi i OKB-së në Kamboxhia, thotë se ishte një zhgënjim për të.
“Kur isha në Kamboxhia si i dërguar i OKB-së, ai m’u ankua, duke thënë se ai është mbret, por nuk sundon, për shkak se dy kryeministrat Hun Sen dhe Ranariddh kishin pushtetin. Prandaj, kishte bindjen se synimi i tij që të bëhej udhëheqësi i një Kamboxheje të begatë, nuk u bë kurrë realitet”.
Hu Sen e largoi nga pushteti Ranariddh-in në vitin 1997. Ndërkohë që pushteti i mbretit Sihanuk ishte dobësuar, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dhe ai shkonte vazhdimisht në Kinë për kurim. Në vitin 2004, ai hoqi dorë nga froni për hir të djalit të tij Mbretit Norodom Sihamoni.
Autori Osborne thotë se ndryshe nga i ati, mbreti Sihamoni, nuk ka ambicje politike.
“Nuk ka për të patur kurrë një mbret që të luajë rolin që ka luajtur Sihanuku. Dhe sigurisht, nuk ka për të patur një mbret i cili të ketë pushtetin dhe interesat politike të Sihanukut. Mbreti aktual është një shërbëtor i devotshëm i vendit të tij, por nuk ka rol politik. Përkundrazi, ai është plotësisht apolitik. Pra, me Sihanukun, mendoj se ka përfunduar edhe epoka e tij.”
Norodom Sihanuk vdiq më 15 tetor në Pekin, vetëm disa ditë para ditëlindjes së tij, pas një beteje të gjatë me kancerin.
XS
SM
MD
LG