Lidhje

Pillay: Lufta në Siri kërcënim për zhytjen e rajonit në konflikt


Navi Pillay

Navi Pillay

Shefja e Kombeve të Bashkura për të Drejtat e Njeriut paralajmëron komunitetin ndërkombëtar

Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkura për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay, thotë se situata në Siri është e tmerrshme. Ajo tha se sa më gjatë vazhdon lufta aq më i madh është rreziku që njerëzit të fitojnë imunitet ndaj vuatjeve të popullit sirian. Grupet e të drejtave të njeriut përllogarisin se më shumë se 30 mijë njerëz janë vrarë që nga fillimi i konfliktit në mars të vitit të kaluar. UNHCR thotë se numri i refugjatëve sirianë mund të arrijë në 700 mijë deri nga fundi i vitit.
Zonja Pillay thotë se ka një numër shkeljesh që bëhen si nga qeveria ashtu edhe nga forcat e opozitës që përbëjnë krime lufte apo krime kundër njerëzimit. Ajo i quajti bombardimet nga forcat qeveritare ndaj zonave civile si “të pafalshme” dhe tha se Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara duhet të veprojë.

“ I bëj thirrje Këshillit të Sigurimit që të flasë me një zë dhe të veprojë i bashkuar. Kjo është e nevojshme për të dërguar një mesazh të fuqishëm. Sa më gjatë që të vazhdojë ky konflikt i egër, aq më vdekjeprurës bëhet jo vetëm për të ardhmen afatgjatë të Sirisë por edhe të mbarë rajonit. Duke qënë të përçarë, komuniteti ndërkombëtar po mundëson vazhdimin e vuajtjeve dhe ndihmon në krijimin e rrethanave për një konflikt më të gjerë.”

Qeveria siriane thotë se po lufton një kryengritje të udhëhequr nga terroristët dhe njerëz të mbështetur nga opozita ndërkombëtare ndaj rregjimit.
Por zonja Pillay thotë se autorët e dyshuar për krime kundër njerëzimit duhet të sillen para Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve. Ajo thotë se është takuar me të dërguarin special të Komebeve të Bashkuara për Sirinë, Lakdar Brahimi, dhe thotë se ajo mbështet përpjekjet e tij për të ndërmjetësuar një arm-pushim.

Lidhur me çështjet e tjera, ajo thotë se Lindja e Mesme dhe rajoni i Afrikës Veriore pritet të mbeten përparësi gjatë gjithë mandatit të saj të dytë. Ajo thotë se shumë punë duhet bërë për të siguruar respektimin e të drejtave të njeriut në Egjipt, Libi, Tunizi dhe Jemen.

Zonja Pillay thotë se do të përpiqet të tërheqë më shumë vëmendjen ndaj disa prej situatave të lëna pas dore në botë. Për shembull, theksoi ajo, të drejtat e njeriut në Korenë e Veriut si një shqetësim i veçantë, duke theksuar përdorimin e kampeve të të burgosurve politik, ekzekutimet e shpeshta publike dhe mungesat e theksuara të ushqimeve.
Ajo dënoi sulmin e talebanëve kundër vajzës 14 vjeçare pakistaneze, Malala Yousafzai. Ajo thotë se puna e Malalas dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut duhet të mbrohet.
Ajo theksoi se sulmet ndaj mbrojtësve të drejtave të njeriut, përfshi vrasjet, arrestimet, torturat, gjyqet e padrejta, vazhdojnë rregullisht në shumë pjesë të botës.

“Jam e shokuar mbi numrin e gazetarëve të vrarë vetëm si rezultat i punës së tyre investigative. Ata mund të jenë vrarë nga autoritetet apo nga lordët e drogës në Meksikë, për shembull. Po bëj thirrje për mbrojtjen e tyre nga qeveritë. Është përgjegjësi e qeverive që të respektojnë plotësisht të drejtat për lirinë e shprehjes dhe të mbrojë ata që ushtrojnë këtë të drejtë.”

Zonja Pillay është e para Komisionere e Lartë që të caktohet zyrtarisht për një mandat të dytë nga Asambleja e Përgjithshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG