Lidhje

Sistemi energjitik në Shqipëri përballë vështirësive financiare


Qeveria e Shqipërisë, kritika të ashpra kundër kompanisë Cez

Qeveria e Shqipërisë, kritika të ashpra kundër kompanisë Cez

Fillojnë procedurat për heqjen e liçensës kompanisë CEZ

Ai që u shpall si një ndër privatizimet më të suksesshme, shitja e operatorit të shpërndarjes së energjisë kompanisë së njohur çeke Cez, tani po kthehet gati në një makth për qeverinë. Problemet kanë nisur prej shumë kohësh por duket se ato janë majisur në një masë të tillë sa po rrezikojnë të gjithë sistemin energjitik të vendit. Ministri i Financave Ridvan Bode pranoi dje në parlament situatën e rënduar: "Thelbi i kësaj gjendjeje të rënduar ekonomike, problemeve të krijuara në sistemin energjitik shqiptar buron nga kompania e shpërndarjes Cez, e cila nuk ka plotësuar detyrimet kontraktore për uljen e humbjeve dhe borxheve të këqija. Si rezultat i mungesës së performancës në administrimin e kompanisë niveli i humbjeve është rritur, niveli i borxheve të këqija është rritur”

Cez ka të paktën disa muaj që nuk importon sasitë që sipas kontratës duhet të blejë, ndërkohë që nuk ka paguar as Kesh-in për furnizimet e marra. ”Keshi-i nga njëra anë jep pa marrë asnjë para mbrapa, sepse Cez-i nuk ka paguar energjinë që ka marrë prej saj. Kesh-i importon dhe sipas kontratës e gjithë energjia që i korrespondon humbjeve që prodhon Cez-i, duhet të importohet nga vetë Cez-i. Si pasojë e gjendjes së rënduar financiare të vetë Cez-it ajo nuk ka bërë importin në të njëjtën masë me humbjet, por më pak dhe për të kompensuar këtë boshllëk, Enti Rregullator ka marrë një vendim që detyron Kesh për të shkuar në treg dhe për të importuar pjesën e munguar të energjisë elektrike”, shpjegoi ministri Bode.

Por sipas deputetit socialist Erion Brace, sistemi ka hyrë në krizë dhe se sipas tij është ngritur një piramidë borxhesh: "Kesh ka sot 220 milion dollarë borxh të rëndë, overdraft përkundrejt bankave të nivelit të dytë, 40 milion dollarë përkundrejt furnitorëve për blerjen e energjisë në dy periudhat e fundit, ka 15 milion dollarë borxh përkundrejt koncesionarëve të rinj, ka 6 milion dollarë ndaj hidrocentraleve të nxjerra nga sistemi e që ju doni t’i shisni. Cez-i është më rëndë dhe është zemra e piramidës financiare të ngritur në sisitemin energjitik. Borxhi i saj në fund të 2011 arrinte në 450 milion dollarë. Vetëm Kesh pretendon mbi 100 milion dollarë dhe Cez ka të paktën 13 muaj që nuk i paguan asgjë”

Problemet mes autoriteteve shqiptare dhe Cez-it kanë nisur prej një kohe të gjatë. Qeveria favorizoi vitin e kaluar cekët në kurriz të Kesh-it ndërsa uli çmimin me të cilin ajo blinte energjinë nga korporata energjitike shqiptare, çmim i cili është disa herë më i vogël se ai në bursat ndërkombëtare. Megjithatë kjo nuk solli përmirësim të situatës së Cez-it që gjatë këtij viti ka thelluar humbjet ndërsa thuajse nuk ka bërë asnjë investim sipas parashikimeve. Në këtë situatë Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur të hapë procedurat për t’i hequr çekëve liçencën. Pas dy shtyrjes mbledhja e Entit për këtë cështje është fiksuar për ditën e hënë.

Situata problematike dhe veçanërisht gjendja e rënduar financiare e Kesh-it ka detyruar qeverinë që të financojë blerjet e energjisë, siç ishte dhe garancia prej 50 milion eurosh e lëshuar përmes aktit normativ të miratuar dje nga parlamenti. Ndërkohë që në fillim të vitit qeveria u detyrua të prekë edhe fondin e saj rezervë për t’i dhënë mundësi Kesh-it që të importonte. E gjitha kjo rrezikon të jetë me pasoja mbi ekonominë e vendit. Sipas socialistëve me garancinë e re të lëshuar qeveria ka tejkaluar nivelin e borxhit publik. Por ministri Bode tha se qeveria po bën ç’është e mundur për të garantuar furnizimin e rregullt me energji të vendit dhe njoftoi se kanë nisur bisedimet për marrjen e një kredie 100 milion dollarësh nga Banka Botërore në mbështetje të financave të Korporatës energjitike.
XS
SM
MD
LG