Lidhje

Përleshje ndërmjet policisë dhe protestuesve në Prishtinë


Forcat e policisë u përleshën me veprimtarët e lëvizjes Vetëvendosje që po protestojnë kundër takimit të kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë

Policia e Kosovës përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë një grup protestuesish të lëvizjes Vetëvendosje që protestuan kundër takimit të kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç
.
Protestuesit hodhën domate dhe ngjyrë të bardhë mbi forcat e policisë gjatë përleshjeve. Një numër i tyre ka mbetur i lënduar. Për pak kohë ishte ndaluar edhe kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti si dhe deputeti i kësaj lëvizjeje Liburn Aliu.Sipas drejtuesve të kësaj lëvizjeje, janë arrestuar të paktën 22 veprimtarë të saj.

Policia tha se protestuesit “në mënyrë të organizuar është nisur nga selia e tyre në drejtim të ndërtesës së Qeverisë, ku me të arritur në mënyrë të dhunshme kanë tentuar të hyjnë në objektet shtetërore dhe më pas kanë filluar të hedhin mjete të ndryshme, ngjyrë, gurë masiv në drejtim të zyrtarëve policor dhe objekteve për rreth”.

Gjatë ndërhyrjes janë ndaluar 26 veprimtarë të lëvizjes Vetëvendosje, duke përfshirë edhe disa deputet te cilët pas identifikimit janë liruar menjëherë. Po ashtu sipas policisë lëndime kryesisht të lehta kanë pësuar 4 veprimtarë të kësaj lëvizjeje. Gjatë protestës lëndime kanë pësuar 18 zyrtarë policor.

Veprimtarët e kësaj lëvizjeje përveç parullave kundër bisedimeve po brohorisin “Bashkim me Shqipërinë, jo pazare me Serbinë”.

Të premten, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u takua me kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic, me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, në atë që shihet si hapje e një kapitulli të ri bisedimesh ndërmjet dy vendeve me një të kaluar të rëndë.

Takimi është kundërshtuar ashpër nga lëvizja Vetëvendosje e cila vlerëson se bisedimet e pakushtëzuara me Serbinë dëmtojnë interesat e Kosovës. Kjo lëvizje kundërshtoi te enjten miratimin e rezolutës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pjesë e kushtëzimeve që u janë bërë të dyja vendeve për përfshirjen në procesin e integrimeve evropiane. Serbisë i është kushtëzuar data e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, ajo e fillimit të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Të dyja palët janë shprehur të gatshme të bisedojnë qoftë për çështje teknike qoftë për ato politike. Por, Serbia ngulë këmbë se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa Prishtina hedh poshtë çdo mundësi të diskutimit për rregullimin e saj kushtetues e juridik.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, është duke zhvilluar sot takime me përfaqësues institucionesh e të partive politike për të diskutuar takimin e së premtes në Bruksel.

Ai e informoi sot fillimisht presidenten Jahjaga për këtë takim. Në një komunikatë për opinion, të lëshuar nga kabineti i presidentes, thuhet se kryeministri Thaçi e ka vlerësuar takimin “si konstruktiv, të zhvilluar ndërmjet të barabartëve, që ndihmon në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve në kuadër të ndërtimit të politikave të fqinjësisë së mirë, kusht ky për integrimin e shteteve në Bashkimin Evropian”.

Presidentja Jahjaga ndërkaq, i ka shprehur mbështetjen procesit të dialogut dhe përpjekjeve për krijimin e konsensusit institucional dhe kombëtar rreth kësaj çështjeje.
XS
SM
MD
LG