Lidhje

Ministri i Jashtëm i Serbisë viziton Shqipërinë


Ivan Mrkic
Ivan Mrkic

Ministri i jashtëm serb që për herë të fundit ka vizituar zyrtarisht Tiranën ka qenë Vuk Drashkovic në 2004.

Në Shqipëri ndodhet për vizitë ministri i jashtëm serb Ivan Mrkic, e para e një shefi të diplomacisë së Beogradit që prej 8 vitesh. Ai do të ketë bisedime sot më ministrin e jashtëm shqiptar Edmond Panariti, ndërsa do të pritet edhe nga kryeministri Sali Berisha. Në një intervistë për të përditshmen serbe “Politika” minisri Mrkic është shprehur se shpreson që me këtë vizitë të hedhë bazat për një bashkëpunim më të mirë në të ardhmen. Mbërritja e tij dje u prit me protesta në aeroportin e Tiranës nga një grup aktivistësh të partisë Aleanca Kuqezi

Ministri i jashtëm serb që për herë të fundit ka vizituar zyrtarisht Tiranën ka qenë Vuk Drashkovic në 2004. Ndërsa në Beograd, që prej atij viti ka patur tre vizita të minisrave të jashtëm shqiptar. E fundit është ajo e 2010 e ish zëvendëskryeminisrit dhe ministrit të jashtëm Ilir Meta. Pas 8 vjetësh, një tjetër kryediplomat serb shkel në kryeqytetin shqiptar, me synimin për të shtyrë përpara një marrëdhënie e cila ka gjithmonë në mes një cështje të pashmangshme, Kosovën. Dhe thirrjet për Kosovën kanë qenë të parat që e kanë pritur ministrin Mrkic sapo ka shkelur në aeroportin e Tiranës Nënë Tereza. Disa dhjetra aktivistë të partisë Aleanca Kuqezi ishin mbledhur me bilbila në gojë e flamuj në duar si dhe me një pankartë ku në anglisht ishte shkruar se Kosova është Shqipëri. Për t’i dalë përpara cdo incidenti të pakëndshëm, ministri serb është shoqëruar në një dalje dytësore të aeroportit, duke shmangur kalimin e automjetit të tij përpara këmbëve të protestuesve, sipas të cilëve Shqipëria duhet të kushtëzojë cdo marrëdhënie me Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në një intervistë për të përditshmen serbe “Politika”, ministri Mrkic ka shprehur sigurinë se me këtë vizitë do të hidhen sipas tij bazat për një bashkëpunim më të mirë në të ardhmen. Takimet e tij nisin sot me bisedimet që do të zhvillojë me ministrin e jashtëm shqiptar Edmond Panariti. Fillimisht një takim kokë më kokë e më pas ai mes dy delegacioneve. Ministri serb do të pritet edhe nga kryeministri Sali Berisha.
Sipas ministrisë së Jashtme shqiptare “kjo vizitë do të zhvillohet në vijim të takimit që dy Ministrat zhvilluan në Nju Jork, ku u ra dakord për ripërtëritjen e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Serbisë, dhe shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë mes dy vendeve. Gjatë kësaj vizite – saktëson njoftimi I ministrisë shqiptare - do të diskutohet mbi stadin aktual dhe mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, përfshirë kuadrin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal dhe në atë të organizatave ndërkombëtare ku vendet tona janë pale”.
Zhvillimet në Kosovë, vecanërisht tensionet në veri, por edhe problemet në Luginën e Preshevës kanë nxitur shpesh deklarata të ashpra nga Tirana e cila nuk ka nguruar të fajësojë pikërisht qeverinë e Beogradit si nxitëse të tyre. Megjithatë Shqipëria i ka dhënë mbështetje publike bisedimeve dy palëshe të ndërmjetësuara nga Bashkimi europian, duke këmbëngulur në zbatimin e angazhimeve të marra.
XS
SM
MD
LG