Lidhje

Obama, Romney përballen për politikën e jashtme


Presidenti Barack Obama dhe rivali i tij republikan Mitt Romney shkëmbyen polemika për një sërë çështjesh të politikës së jashtme dje në debatin e tretë dhe të fundit të fushatës së zgjedhjeve presidenciale për këtë vit. Debati u mbajt në universitetin Lynn në Boca Raton të Floridës.

Në këtë debat pati më pak ndërprerje dhe këmbime agresive, ndoshta sepse kandidatët nuk donin të shfaqeshin shumë negativë.

Por herë pas here debati solli një përplasje këndvështrimesh mes Presidentit Obama dhe zotit Romney, përfshirë një këmbim për kërcënimet më të mëdha me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara.

“Guvernator Romney, jam i kënaqur që e pranoni se al-Qaida është kërcënim, sepse para disa muajsh kur ju pyetën se cili është rreziku më i madh gjeopolitik me të cilin përballen Shtetet e Bashkuara, ju thatë Rusia”.


“Ne po flasim për Lindjen e Mesme dhe si ta ndihmojmë që të refuzojë këtë lloj terrorizmi që po shohim dhe valën në rritje të trazirave dhe kaosit dhe sulmi ndaj meje nuk është program”.

Por përsa i takon përpjekjeve për të parandaluar Iranin të shtjerë në dorë armë bërthamore dhe mbështetjes për Izraelin, të dy kandidatët dukeshin se kishin qëndrime të përafërta.

“Përsa kohë që unë jam President i Shteteve të Bashkuara, Irani nuk do shtjerë në dorë një armë bërthamore. Unë e bëra këtë të qartë kur mora detyrën. Ne organizuam koalicionin më të fortë dhe sanksionet më të forta kundër Iranit në histori dhe kjo po e paralizon ekonominë e tyre”.

Zoti Romney ka mbajtur më parë qëndrim kritik por në debat kishte një ton më pajtues.
“Dua të theksoj të njëjtën pikë që tha edhe Presidenti, pra që nëse dhe kur të jem President i Shteteve të Bashkuara, ne do të qëndrojmë në krah të Izraelit. Dhe nëse Izraeli sulmohet, ne do t’i mbështesim jo vetëm në rrugë diplomatike, por edhe kulturore dhe ushtarake”.

Për qëndrimin ndaj Sirisë dhe çështjen nëse duhet të ketë një ndërhyrje ushtarake amerikane për të ndihmuar kryengritësit, kishte një emërues të përbashkët.

“Një angazhim më i madh ushtarak në Siri, do të ishte një haë serioz”.

“Ne nuk duam të kemi angazhim ushtarak, nuk duam të përfshihemi në një konflikt ushtarak”.

Pas debatit, si republikanët edhe demokratët thanë se kandidati i tyre fitoi.

“Mendoj se politika e jashtme e Presidentit Obama ka dështuar dhe sot kjo u duk qartë. Ai nuk ka një vizion të qartë se çfarë roli duhet të ketë Amerika në botë”, tha senatori republikan Marco Rubio.

Delegati i shtetit të Virginias, demokrati Mark Keam mendon se epërsia e Presidentit Obama ishte e qartë.

“Mendoj se është e qartë për këdo, edhe nëse nuk e ndjek politikën, se një nga debatuesit i njihte shumë mirë çështjet, i kupton politikat, e kupton sesa rëndësi ka situata ndërkombëtare, e kupton seriozitetin e udhëheqjes, e bashkëpunimit për ta mbajtur vendin të sigurt”.

Gjatë debatit, kandidatët shpesh dolën nga tema, duke diskutuar çështje të politikës së brendshme – si ekonomia – në vend të atyre të politikës së jashtme. Reagimi i një votuesi nga Virginia bën të qartë se pse:

“Mendoj se dy kandidatët dolën mirë sot. Pa dyshim që çështjet i njihnin. Por nuk jam i sigurt se sa mirë rezonuan me votuesit, sepse është politikë e jashtme, nuk është një çështje shumë e nxehtë për fushatën, krahasuar me ekonominë, vendet e punës dhe taksat për shembull”.

Ndërsa kanë mbetur vetëm dy javë nga zgjedhjet, dy anketa të reja kombëtare tregojnë se dy kandidatët kanë të njëjtin nivel mbështetjeje mes votuesve.

Sot Presidenti Obama dhe rivali i tij Mit Romni, po vazhdojnë fushatën, në përpjekje për të siguruar mbështetjen e votuesve të luhatur, vetëm dy javë para zgjedhjeve të 6 nëntorit. Të dy kandidatët do të shkojnë në disa shtete, që kanë një numër të madh nga 270 votat elektorale, të nevojshme për fitoren e Shtëpisë së Bardhë. Zoti Obama sot zhvilloi fushatë në Florida dhe më vonë shkon në Ohio, ndërsa zoti Romni shkon në Nevada dhe Kolorado. Anketat tregojnë se gara po zhvillohet tepër e ngushtë, dhe secili prej kandidatëve tani kanë një mbështetje prej 47 për qind.
XS
SM
MD
LG