Lidhje

Opozita ruse organizon zgjedhje në internet


Në Rusi opozita organizoi zgjedhje në internet për një udhëheqje 45 anëtarëshe që do të ngarkohet me organizimin e protestave masive kundër presidentit Vladimir Putin në një lëvizje më të strukturuar.

Organizatorët thonë se rreth 82 mijë njerëz morën pjesë në votimin që përfundoi dje. Udhëheqësi i opozitës Alexei Navalny fitoi më shumë se gjysmën e votave.

Sondazhi u përdor si një mënyrë për të krijuar më shumë energji për lëvizjen, e cila ka pësuar lëkundje që kur zoti Putin filloi mandatin e tij të tretë si president në maj.

“Kjo ide e cila kishte përkrahje të gjërë në qershor u pasqyrua në vendimet e marra gjatë një proteste. Në fund të korrikut ne filluam punën, dhe tre muaj më vonë organizuam zgjedhjet. Unë sërish dua të theksoj se në historinë e njerëzimit, këto janë zgjedhjet e dyta për nga numri i votuesve që marrin pjesë në zgjedhje të sigurta dhe të verifikuar të zhvilluara në internet”.

Votimi ishte planifikuar të mbahej të shtunën dhe të dielën, por u shty pasi faqja e internetit ku do të organizoheshin zgjedhjet u çaktivizua nga hakerat.

Opozita në javët e fundit ka qenë nën presion të madh nga qeveria.

Një udhëheqës i lartë i partisë Rusia e Drejtë, Leonid Razvozzhayev, u arrestua të dielën. Zyrtarët qeveritarë thonë se ai u dorëzua vetë, dhe ka pranuar përfshirjen në organizimin e protestave në Rusi. Por përkrahësit e zotit Razvozzhayev thonë se ai u rrëmbye nga Ukraina dhe u torturua për të pranuar përfshirjen në organizimin e protestave.

Javën e kaluar, autoritetet nisën një hetim kundër udhëheqësit të partisë Fronti i Majtë, Sergei Udaltsov dhe anëtarit të kësaj partisë Konstantin Lebedev nën akuzat e organizimit të trazirave në muajin maj në Moskë.
XS
SM
MD
LG