Lidhje

SHBA, BE dhe marrëdhëniet Kosovë - Serbi


Ashton_Clinton in Belgrade
Ashton_Clinton in Belgrade

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë duke nxitur bashkëpunim më të ngushtë mes Serbisë dhe Kosovës

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë duke nxitur bashkëpunim më të ngushtë mes Serbisë dhe Kosovës, si një mundësi për të dy vendet për të avancuar pozitën e tyre ekonomike dhe integrimin europian.

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Katherinë Ashton është duke udhëhequr një dialog të vazhdueshëm mes Beogradit dhe Prishtinës, dialog që ajo thotë se po bën përparim të vërtetë.

"Objektivi është për të përmirësuar jetën e njerëzve dhe për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve. Dhe në këtë mënyrë kjo do t'a sjellë Serbinë dhe Kosovën më afër Bashkimit Evropian."

Znj. Ashton u takua me presidentin serb Tomislav Nikoliç dhe kryeministrin Ivica Daçiç në Beograd të martën së bashku me Sekretaren amerikane të Shtetit Hillari Klinton. Znj. Ashton thotë se është jetike që marrëveshjet për lirinë e lëvizjes dhe doganat, të arritura përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja, janë miratuar plotësisht nga të dyja palët.

"Nuk ka alternativa të tjera reale ose më të mira. Dhe gjërat nuk do të bëheshin më të lehta në se diskutimet e vështira liheshin jashtë. Kjo është e mirë për Serbinë, është e mirë për Kosovën, është e mirë për të ardhmen e të dy vendeve dhe për jetën e përditshme të njerëzve në këtë rajon."

Beogradi ka refuzuar ta njohë Kosovën që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008. Shtetet e Bashkuara dhe shumë prej fuqive evropiane e kanë njohur këtë pavarësi dhe kanë punuar për të zgjidhur statusin e serbëve në zonat veriore të Kosovës, ku zyrtarët amerikanë thonë se Beogradi operon një rrjet paralel spitalesh, shkollash dhe gjykatash.

Dialogu i udhëhequr nga BE-ja nuk i kërkon Serbisë njohjen e Kosovës, dhe sekretarja Klinton thotë se administrata Obama i kupton vështirësitë politike dhe kushtetuese për t'a bërë këtë. Por ajo u bën thirrje të dyja qeverive që të marrin masa praktike për të përmirësuar sigurinë dhe risiguruar serbët në Kosovë.

"Kosova është shtet i pavarur. Kufijtë e Evropës nuk do të ndryshojnë. Por ka një marrëveshje të madhe që mund të realizohet nga Serbia dhe Kosova që të punojnë së bashku për të mirën e popujve të të dy vendeve. Unë e kuptoj se kjo është e vështirë, por kjo shkon dorë për dore me përmbushjen e nevojave të popullit serb."

Pas bisedimeve të tyre, kryeministri Daçiç tha se znj. Ashton dhe sekretarja Klinton nuk bënë ultimatume mbi reformat gjyqësore serbe apo për njohjen e shtetit të Kosovës.

Kryeministri Daçiç tha se askush nuk po e shtyn Serbinë për të bërë diçka që ajo nuk mund ta bëjë - siç është për të njohur Kosovën. Kryeministri thotë se Serbia është për përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, sepse është në dobi të njerëzve në të dy vendet. Ai tha se Beogradi është duke punuar për zgjidhjen e të gjitha problemeve të Kosovës në mënyrë paqësore, sepse gjenerata e ardhshme e serbëve nuk e meriton që t'i ketë këto problem të pazgjidhura.

Sekretarja Klinton tha se Shtetet e Bashkuara janë në kërkim për partneritete të reja për të përmirësuar jetën e atij brezi të ardhshëm të serbëve.

"Një brez i mirë-arsimuar, përdoprues inteligjent i internetit, popullsi kulturalisht e zgjuar që meriton të ketë mundësi ekonomike, meriton të kenë një të ardhme në Europë, meriton të ketë çdo mundësi që çdo i ri tjetër europian ka."

Sekretarja Klinton dhe kolegia e saj Ashton takohen në Prishtinë të mërkurën me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi.
XS
SM
MD
LG