Lidhje

BE: Ballkani të kufizojë kërkesat për azil

  • Armand Mero

Brukseli është i shqetësuar për numrin në rritje të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit perëndimor

Komisonierja për Çështjet e Brendshme të Bashkimit europan Cecilia Malmstrom kërkoi nga vendet e Ballkanit perëndimor që të reagojnë pa vonesë në frenimin e fenomenit të kërkimit të azilit ne vendet e zonës Schengen. Komisionerja Malmstrom mori pjesë në takimin mes ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë së vendeve të Ballkanit perëndimor dhe Bashkimit europian të zhvilluar në Tiranë, i cili pati në qendër të diskutimeve masat për të parandaluar abuzimet me liberalizimin e vizave. Bashkimi europian pritet që të miratojë një mekanizëm shpëtimi për të pezulluar përkohësisht regjimin e lëvizjes pa viza për vendet që nuk mund të vënë nën kontroll qytetarët që kërkojnë pa asnjë bazë strehim politik.

Brukseli është i shqetësuar për numrin në rritje të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit perëndimor. Komisionerja për Cështjet e Brendshme të Bashkimit europian Cecilia Malmstrom, tha mbrëmë në Tiranë, se në disa vende anëtare kërkesat për azil nga vendet ballkanike ja kanë kaluar në numër edhe atyre nga Afganistani dhe Siria. “Situata është vërtetë serioze dhe duhet vepruar. Pa u vonuar, vendet e Ballkanit duhet ti kundërvihen këtij fenomeni. Këto vende duhet të dëshmojnë se së bashku me liritë janë në gjendje të marrin përsipër edhe përgjegjësi”, deklaroi zonja Malmstrom mbrëmë, pasi së bashku me ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë së vendeve ballkanike diskutuan mbi këtë problematike.

Komisionerja europiane theksoi se Brukseli dhe ajo personalisht vazhdojnë të mbështesin procesin e liberalizimit të vizave, porse Bashkimi europian kishte “nevojë për një mbështetje dhe angazhim nga ana e vendeve të Ballkanit për t’u siguruar se këto zhvillime negative mund të luftohen”, tha ajo. Komisionerja Malmstrom shtoi se kishte një mesazh serioz për miqtë, sic i cilësoi ajo përfaqësuesit e Ballkanit perëndimor. Sipas saj ata duhet të pengonin “tendencën e azilit përndryshe i gjithë sistemi - saktësoi ajo - vihet në rrezik”.

Komisioni europian ka propozuar vënien në zbatim të një mekanizmi shpëtimi, apo një kaluzole për pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza, i cili pritet të miratohet në fund të këtij viti edhe nga parlamenti europian. Disa vende anëtare kanë kërkuar përshpejtimin e procedurave. “Procesi po ecën shpejt dhe do të jetë një element I rëndësishëm frenues”, tha zonja Malmstrom duke shpjeguar se ai do të zbatohet në vlerësim të secilit vend dhe se megjithatë nuk hyn në fuqi automatikisht. Më parë duhet t’i propozohet Këshillit ku votimi mes vendeve anëtare është me shumicë të cilësuar.

Shqetësimi më i madh për vendet europiane ka ardhur nga Serbia dhe Maqedonia ku azilkërkuesit janë kryesisht të komunitetit rom por dhe shqiptarë që banojnë në këto shtete, prandaj vendet e Balkanit zotohen edhe për përmirësimin e kushteve të jetesës së këtyre kategorive.

Ndërkohë nga Shqipëria, shqetësim kanë paraqitur kërkesat për azil në Belgjikë. Sipas autoriteteve belge janë 470 të tilla nga janari deri në fund të gushtit të këtij viti. Autoritetet shqiptare kanë deklaruar se kanë marrë masa për të frenuar fenomenin dhe për të ndëshkuar ata që abuzojnë. Dy grupe qytetarësh shqiptarë janë riatdhesuar.

Kryeministri shqiptar Sali Berisha deklaroi dje se së shpejti një veprim i tillë do të realizohet edhe me Luksemburgun dhe se qevria shqiptare është e gatshme ta vërë në zbatim me cdo vend të zonës Schengen.
Vendet e Ballkanit nënshkruan një deklaratë të përbashkët përmes së cilës angazhohen të realizojnë një sërë ndërhyrjesh, që nga hetimet ndaj atyre që favorizojnë emigracionin e paligjshëm, deri në forcimin e mëtejshëm të kontrollit të kufijve, bashkëpunimit të ngushtë me vendet e Bashkimit europian dhe agjencitë e tyre ligjzbatuese dhe fushata të mëtejshme sensibilizimi ndaj qytetarëve.
XS
SM
MD
LG