Lidhje

Zgjerohet skandali me zyrtarët ushtarakë amerikanë


Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka filluar hetimet ndaj Gjeneralit John Allen, komandant i forcave amerikane në Afganstan, në lidhje me pohimet për “komunikim të papërshtatshëm” me një grua e cila është e përfshirë në skandalin që çoi në dorëheqjen e drejtorit të CIAs David Petreas. Zyrtarët e departamentit të Mbrojtjes po hetojnë 20 deri 30 mijë faqe me emaile që janë shkëmbyer mes Gjeneralit Allen dhe Jill Kelly-it mes vitit 2010 dhe 2012.

Pas hetimeve të FBI-së që çuan në zbulimin e marrëdhënieve jashtëmartesore të drejtorit të CIAs, David Petreas, tani departamenti i mbrojtjes ka nisur hetimin e një çështjeje në të cilën është i përfshirë gjenerali John Allen, komandant i forcave ndërkombëtare në Afganistan.

Kjo çështje ka të bëjë me shkëmbimet përmes postës elektronike mes gjeneralit John Allen dhe Jill Kelley-t, që si njoftohet, janë të një natyre të “papërshtatshme”. Jill Kelley, mike e familjes Petreas, është në qendër të këtij skandali që vazhdon të nxjerrë elementë të rinj.

Pentagoni po heton rreth njëzet deri tridhjetë mijë faqe me dokumente të zbuluara nga FBI-ja, shumica prej tyre emaile të shkëmbyer mes Gjeneralit John Allen dhe Jill Kelley-t në dy vitet e fundit.

Zonja Kelley është personi që kërkoi ndihmë nga FBI-ja në lidhje me disa emaile kërcënues që FBI-ja zbuloi se vinin nga biografja e David Petreas, Paula Broadwell.

Vëllai i zonjës Kelley, David Khawam doli në mbrojtje të motrës së tij kur u pyet nga gazetarët për lidhjen e mundshme të saj me gjeneralin John Allen.

“Këto akuza nuk janë të vërteta. Është një përpjekje e gabuar për ta pasqyruar atë në këtë mënyrë”.

Ndërkohë dhjetëra agjentë të FBI-së kontrolluan shtëpinë e biografes Paula Broadwell në Sharlot të Karolinës së Veriut për të parë nëse ka më shumë fakte që do të ndihmonin më shumë hetimin e skandalit. Për katër orë, agjentët kontrolluan çdo cep të shtëpisë dhe morën me vete kompjuterin, një valixhe me dokumente dhe gjëra të tjera.

Pas disa orësh, Vernon Loeb, i cili e ka ndihmuar zonjën Broadwell të shkruajë biografinë e David Petreas, i tha gazetës The Washington Post se ai nuk kishte njohuri mbi marrëdhënien jashtëmartesore mes zonjës Broadwell dhe zotit Petreas.

“Koleget e mija nuk kishin frikë të flisnin për pamjen fizike të zonjës Broadwell dhe shijen e saj për veshje të bukura, festat madje edhe në konferencat për sigurinë kombëtare. Por unë nuk kam menduar se kishte një lidhje mes zonjës Broadwell dhe zotit Petreas”.

Sekretari i Departamentit të Mbrojtjes Leon Panetta, i cili ndodhet për një vizitë në Australi shprehu keqardhje për skandalin në të cilin është përfshirë zoti Petreas.

“Natyrisht, është për të ardhur keq që një karrierë e shkëlqyer të mbarojë në këtë mënyrë. Mendimet dhe zemra ime është me të dhe familjen e tij, por unë mendoj se vendimi tij për të dhënë dorëheqjen ishte një hap i duhur. Mendoj se kur jeni në rolin e drejtuesit të CIAs duke u përballur me sfida të shumta, integriteti personal është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër”.

Leon Panetta ishte drejtor i CIAs para marrjes së këtij posti nga David Petreas.

XS
SM
MD
LG