Lidhje

Aktakuzë kundër Fatmir Limajt

  • Besim Abazi

Një prokuror i EULEX-it ngriti sot akuzë kundër zotit Limaj dhe gjashtë të tjerëve për siç thuhet krim të organizuar dhe korrupsion

Një prokuror i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin ligjit, ka ngritur aktakuzë kundër deputetit Fatmir Limaj dhe gjashtë të tjerëve, nën dyshimet për krim të organizuar dhe korrupsion.

Në një njoftim të EULEX-it thuhet se akuza ka të bëjë me periudhën kur zoti Limaj, nënkryetar i Partisë Demokratike, ishte ministër i Transportit dhe telekomunikacionit në qeverinë e Kosovës.

Veprimet që u vihen në barrë të akuzuarve kanë ndodhur gjatë periudhave kohore midis vitit 2008 dhe 2012.

Fatmir Limaj, Florim Lima, Demir Lima, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi, Florim Zuka dhe Gani Zogaj, akuzohen, mes tjerash, për siç thuhet “manipulimin e procedurave të tenderëve, dhënien dhe marrjen e ryshfetit dhe pengimin e mbledhjes së provave dhe dëshmive në lidhje me tre tenderë në Ministrinë e Transportit dhe telekomunikacionit, ndërsa dëmi ndaj buxhetit të kësaj ministrie llogaritet të jetë rreth dy milion euro”.

Fatmir Limaj, akuzohet gjithashtu për “mosdeklarimin e parave në kohën që konkurronte për zgjedhjet komunale të Prishtinës në vitin 2007 si dhe për vepra të tjera penale”, thuhet në njoftim.

Ngritja e akuzës pasoi një periudhë të gjatë hetimesh që filluan në prill të vitit 2010, kundër zotit Limaj, nën dyshimet për korrupsion në Ministrinë e Transporteve dhe Telekomunikacionit. Kjo ministri ishte përgjegjëse për ndërtimin e rrugëve, përfshirë edhe autostradën që lidhë Kosovën me Shqipërinë.

Ndërkaq, në maj të këtij viti, ai u shpall i pafajshëm në lidhje me një aktakuzë për krime të luftës së vitit 1999. Zotit Limaj në shtator të vitit të kaluar ju hoq imuniteti si deputet për shkak të procesit gjyqësor, i cili përfundoi me pafajësinë e tij dhe nëntë ish bashkëluftëtarëve të tij që akuzoheshin për krime lufte.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës sqaroi atëbotë se deputetët e Parlamentit të Kosovës nuk kanë imunitet për veprimet jashtë fushëveprimit të tyre.

Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn, i njohur me emrin e luftës si komandant Çeliku, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG