Lidhje

Vazhdon konflikti izraelito-palestinez


Sulmi ushtarak i Izraelit kundër militantëve palestinezë të cilët po hedhin raketa nga Rripi i Gazës është përshkallëzuar, dhe numri i të vrarëve mes civilëve, shumica e tyre në anën palestineze, është në rritje. Deri tani, bisedimet e ndërmjetësuara nga Egjipti nuk kanë çuar në arritjen e një marrëveshje për armëpushim, ndërkohë që tanket izraelite dhe ushtarët izraelit janë grumbulluar pranë kufirit me Gazën për një pushtim të mundshëm tokësor. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Meredith Buel sjell hollësi.

Konflikti vazhdon, ndërkohë që raketat e hedhura nga Hamasi në Rripin e Gazës vazhdojnë të fluturojnë në drejtim të Izraelit.

Sulmet ajrore izraelite kanë vënë në shënjestër militantët në Gazë. Zyrtarët izraelitë thonë se qëllimi i sulmeve ajrore është shkatërrimi i infrastrukturës terroriste në Rripin e Gazës, duke minimizuar dëmet ndaj popullatës civile.

“Asnjë qeveri nuk do të toleronte një situatë ku gati një e pesta e popullsisë së saj jeton nën një breshëri të vazhdueshme raketash dhe as Izraeli nuk do ta tolerojë këtë situatë”.

Analistët thonë se Hamasi shkeli një armëpushim jozyrtar për shkak të presionit nga anëtarët e saj ekstremistë dhe grupet xhihadiste. Ndërkohë palestinezët thonë se Izraeli e ka kaluar vijën e kuqe duke vrarë një udhëheqës ushtarak të Hamasit në Gaza.

Matthew Levitt është analist në Institutin Uashington.

Hamasi shpresonte se për shkak të Pranverës Arabe dhe për shkak se palestinezët nuk janë më të izoluar si dikur, Izraeli do ishte më i përmbajtur në përgjigjen e tij. Kjo ishte një llogaritje e gabuar nga Hamasi. Dhe tani do të shohim nëse kjo do të shkaktojë shkallëzim apo ç’tensionim të situatës. Nuk jam i sigurt se cilën alternativë do të zgjedhin palët në konflikt.

Zyrtarët perëndimorë thonë se është e vështirë të parashikohet se si mund të përfundojë dhuna.

“Çdo herë kur fillon dhuna në Lindjen e Mesme, pavarësisht se ku, ajo është arsye për shqetësim, sepse është e vështirë të parashikohen pasojat e saj”.

Hamasi mund të jetë inkurajuar nga mbështetja nga vendet arabe dhe udhëheqësit myslimanë.

“Ne po shohim se çfarë po ndodh në Gaza në aspektin e agresionit, ne po shohim vrasjen e burrave, grave dhe fëmijëve, dhe gjakderdhje. Kjo është një çështje shumë e rrezikshme dhe agresion i papranueshëm ndaj qenieve njerëzore”.

Pas rizgjedhjes së Presidentit amerikan Barak Obama, kishte shpresë se bisedimet e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve mund të rifillonin.
Por Presidenti Obama kishte këtë mesazh për udhëheqësit arabë që mbështesin Hamasin.

“Ata që mbrojnë kauzën e palestinezëve duhet ta pranojnë se nëse ne shohim një shkallëzim të mëtejshëm të situatës në Gaza, atëherë gjasat për rifillimin e negociatave paqësore që do të çonin në një zgjidhje me dy shtete do të shtyhen për një të ardhme më të largët”.

Izraeli thotë se sistemi i tij i mbrojtjes nga raketat, ka diktuar dhe neutralizuar qindra raketa të drejtuara ndaj zonave me popullsi civile.

Por tanket dhe trupat e Izraelit janë grumbulluar pranë kufirit të Gazës për një pushtim të mundshëm.

“Izraelitët mund organizojnë një operacion të shpejt dhe të largohen menjëherë. Por unë mendoj se ka shumë gjasa që nëse ata vendosin, ata do të organizojnë një operacion të fuqishëm”.

Përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje për armëpushim deri më tani kanë qenë të pasuksesshme.















XS
SM
MD
LG