Lidhje

BE-ja dështon t'i japë Greqisë ndihma


Zyrtarët e Bashkimit Evropian dështuan të arrijnë një marrëveshje sot për t’i dhënë Greqisë më shumë ndihma, duke zgjatur pasigurinë mbi të ardhmen e vendit të zhytur në borxhe dhe të eurozonës me 17 vende anëtare.

Ministrat e eurozonës ndërprenë takimin e tyre në Bruksel në orët e para të mëngjesit dhe vendosën ta rifillojnë atë të hënën e ardhshme.

Wolfgang Schaeuble, ministri gjerman i Financave tha se dështimi për të arritur një marrëveshje lë shumë detyra përpara drejtuesve të qeverisë.

Pas bisedimeve që zgjatën për gati 12 orë, Jean-Claude Juncker, tha se marrëveshja ishte pranë.

Është ky takimi i dytë rradhazi gjatë së cilit minitrat dështojnë të arrijnë një marrëveshje, duke theksuar hendekun e gjerë të pikëpamjeve mbi mënyrën për ta zgjidhur problemin e borxhit grek.

Christine Lagarde, drejtorja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, që jep hua ndihme për Greqinë së bashku me vendet e eurozonës, tha se është bërë përparim por mbetet më shumë punë.

Ka patur mosmarrëveshje mes ministrave dhe FMN-së për mënyrën e menaxhimit të borxhit grek.

Ministrat e eurozonës janë në favor të dhënies së dy vjetëve të tjera kohë Greqisë deri në vitin 2022 për të ulur borxhin e saj në 120 përqind të prodhimit të brendshëm bruto nga 176 përqind që parashikohet këtë vit.

FMN-ja e ka kundërshtuar një zgjatje të tillë.

Ministrat e financave të eurozonës do të përpiqen përsëri të hënën të arrijnë një marrëveshje mbi mënyrën si do të ndihmohet Greqia, por nuk do të jenë në gjendje të japing një miratim përfundimtar.
Parliamentet e disa vendeve duhet më parë ta votojnë këtë masë dhe më pas ministrat e tyre do të takohen përsëri për këtë çështje.
XS
SM
MD
LG