Lidhje

Gruevski në Tiranë, plagët e konfliktit të 2001,ende të freskëta


berisha gruevski

berisha gruevski

Shqipëria dhe Maqedonia janë angazhuar për të forcuar më tej marrëdhëniet e tyre e për të bashkëpunuar për realizimin e projekteve të rëndësishme të infrastrukurës mes dy vendeve. Këtë e konfirmuan sot kryeministrat e të dy vendeve të cilët u takuan në Tiranë. Lidhur me marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve kryeministri Nikola Gruevski tha se plagët e konfliktit të 2001 janë ende të freskëta dhe se palët duhet të jenë të vëmendshme për të mos lënduar ndjenjat dhe plagët e njëri-tjetrit. Ndërsa kryeministri Sali Berisha vlerësoi rolin dhe kontributin e shqiptarëve në paqen stabilitetin dhe zhvillimin e Maqedonisë.



Kryeministri maqedonas Nikola Gruevski u prit sot me të gjitha nderimet nga kryeministri Sali Berisha në Tiranë. Në fillim ata patën një bisedë kokë me kokë dhe më pas takimi mes dy delegacioneve. Ndërsa marrëdhëniet që dy shtete kamë mes tyre janë konsideruar si të shkëlqyeshme, palët I kanë mëshuar nevojës së forcimit të bashkëpunimit ekonomik duke prezantuar një sërë projektesh të përbashkëta.
"Ne diskutuam për intensifikimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit në çdo fushë. Ne ramë dakord që të bëjmë përpjekje të përbashkëta për Korridorin 8, për lidhjen e linjave të tensionit të lartë, për kompletimin në dy anët respektive të rrugës së Arbrit, unazës së Ohrit, lidhjen hekurudhore". deklaroi kryeministri Berisha.

"Në takim theksuam edhe mundësitë për ndërtimin e autostradës Shkup -Tiranë, e cila do ti japë shtysë zhvillimit të turizmit. Nga pala jonë ka nisur, ndërsa nga pala shqiptare është pranuar për ndërtimin e unazës në Ohër. Gjatë këtij takimi folëm edhe për ndërlidhjen energjetike mes dy vendeve, projekt të cilin ne sa e kemi filluar dhe jemi në fazën e studimit të fizibilitetit. Ky është një projekt, për të cilin bashkë me Bullgarinë dhe Shqipërinë do të kërkojmë edhe fonde për ndërtimin
e kësaj linje"
, shpjegoi kryeministri Gruevski.

Por në marrëdhëniet mes dy shteteve qëndron gjithnjë edhe cështja e shqiptarëve në Maqedoni, të cilët kryeministri Berisha i cilësoi si një faktor paqeje: "Ne vlerësojmë shumë rolin e shqiptarëve në paqen stabilitetin dhe zhvillimin e Maqedonisë, kontributin e tyre në këtë drejtim. Ne shohim me interes shumë të madh progresin e këtij vendi dhe të shoqërisë multietnike, si një rast unik, si një rast i shkëlqyer për tu bërë një shembull i ndritshëm në gadishullin e Ballkanit".

Megjithatë 11 vjet pas konflikti të armatosur që coi në nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit, ajo ende nuk është zbatuar plotësisht dhe tensionet etnike ngrejnë shpesh krye. "Kaluam një kohë të gjatë në këtë konflikt dhe plagët e këtij konflikti janë ende të freskëta. Të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm për të mos lënduar ndjenjat dhe plagët e njëri-tjetrit. Duhet të jemi të kujdesshëm në këtë drejtim. Me partnerin tonë të koalicionit qeveritar, Bashkimin Demokratik për Integrim, bëjmë çmos për të mbajtur relacione të mira midis dy etniteteve", tha kryeminstri maqedonas.

Shqipëria dhe Maqedonia nënshkruan sot dy marrëveshje një për njohjen reciproke të patentave dhe një për hapjen e një pike të re kufitare në Trebisht-Xhepisht.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG