Lidhje

Çfarë pritet nga takimi i Dohas?


Kur përfaqësues nga e gjithë bota takohen në Doha të Katarit në fund të këtij muaji, ata mund të ndjejnë një lloj emergjence për të zgjidhur temën kryesore të takimit, ndryshimet klimatike. Megjithatë ekspertët nuk kanë shumë shpresa tek ky takim.

Për dekada me radhë, bisedimet për ndryshimin e klimës kanë risjellë imazhet e shkrirjes së akullit dhe të arinjve polarë në vështirësi.

Por ndryshimet klimatike nuk kanë të bëjnë tashmë vetëm me arinjtë polarë. Ekspertët thonë se ngrohja e oqeaneve rritja e niveleve të tyre po kontribuon në krijimin e stuhive të mëdha, më shkatërrimtare, si ajo që goditi Nju Jorkun dhe zonat përreth në fund të tetorit.

Në zyrat grupit Greenpeace në Londër, këshilltarja e politikave Ruth Davis thotë se, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz përjetojnë gjëra të tilla, aq më shumë ka të ngjarë të ndodhin ndryshime në politikat e mjedisit. Ajo thotë:

“Gjithnjë e më shumë njerëz po provojnë ndikimin e ndryshimeve klimatike. Eshtë shumë e rëndësishme që qeveritë që shkojnë në takimin e Dohas ta kuptojnë këtë dhe të fokusohen për të zgjidhur këtë problem sa më shpejt.”

Katastrofat klimatike jo vetëm që ndikojnë tek ata që humbasin shtëpitë, por ndikojnë tek prodhimtaria e të mbjellave, çmimet e ushqimeve, pagesat e sigurimeve, shëndeti publik dhe shumë çështje të tjera. Çelësi për të shtuar mbështetjen për ndryshim të politikave mund të jetë kur këto ngjarje ndodhin më shpesh dhe më me intensitet, në vendet me ndikim, thotë Brian Hoskins, drejtor i Institutit për Ndryshimet Klimatike në Kolegjin Perandorak në Londër.

“Eshtë prirja të mendohet se katastrofat ndodhin në Bangladesh dhe jo në Nju Orlins apo Nju Jork. Por ato ndodhën në Nju Orlins dhe Nju Jork. Ne e pamë këtë. Sado të përparuar të mendojmë se jemi përsa i përket zhvillimit, ne ende varemi shumë tek mjedisi. “ - thotë ai

Ruth Davis thotë se udhëheqësit duhet të kuptojnë koston e mosveprimit dhe përfitimet nga burimet alternative të energjisë që nuk kontribuojnë në ngrohjen globale:

“Do të duhet një dekadë, ndoshta më gjatë për të qënë në gjendje të ndryshojmë situatën. Por nuk do të duhet kaq shumë kohë për të arritur të zhvillojmë në shkallë të gjerë teknologjitë që janë miqësore për mjedisin. Kur të fillojmë ta bëjmë këtë, përfitimet që do të vijnë nga energjia e ripërtëritshme në shkallë të gjerë do të jenë të mëdha.”

Megjithatë, ekspertët nuk presin shumë nga Konventa Kornizë e OKB-ë për Ndryshimet Klimatike. Ajo që shpresojnë ata më së shumti nga ky takim është ripërtëritja e angazhimit për të arritur një marrëveshje deri në vitin 2015 rreth standardeve mjedisore që do të hynin në fuqi pesë vjet më vonë.

Ekspertët thonë se një marrëveshje me standarde universale, me transparencë dhe stimuj për të përdorur teknologji të reja mund të fillojë të paktën të ndryshojë efektet e ngrohjes globale. Por ata janë të shqetësuar për faktin nëse ekziston apo jo vullneti i duhur politik – pra edhe sa njerëz do të duhet të vuajnë katastrofat që vijnë nga ngrohja globale para se të fillojë procesi i ndryshimeve

XS
SM
MD
LG