Lidhje

Reagime për marrëveshjen Eurozonë-FMN për Greqinë


Kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras përshëndeti miratimin e huasë më të fundit për vendin, megjithëse protestuesit nëpër rrugët e Athinës janë ende skeptikë se ajo do të ndryshojë jetën e tyre. Ministrat e Financave të Eurozonës arritën një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të ulur borxhin e Greqisë dhe për t’i dhënë këtij vendi ndihma financiare që të shmangë falimentimin. Greqia do të marrë gjithashtu këstin e ri të huasë prej 57 miliardë dollarësh. Kryeministri Samaras e cilësoi këstin e fundit të paketës së ndihmave si "një ditë të re për të gjithë grekët".

Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi e mirëpriti marrëveshjen, duke thënë se ajo do të "ulë pasigurinë dhe do të shtojë besimin në Evropë dhe në Greqi".
Por grekët shprehën mendime të ndryshme pas arritjes së marrëveshjes.
Konstantinos Lourantos, president i Shoqatës Farmaceutike të Athinës, së cilës shteti i ka borxh miliona dollarë në fatura të papaguara, thotë se fondet nuk do të jenë të mjaftueshme për të mbuluar këto borxhe.

"Farmacistët pa dyshim që po kërkojnë borxhet, që shteti u detyrohet që prej një janarit të vitit 2011. Dhe shuma që qeveria do të marrë në ndihma nuk është e mjaftueshme për të mbuluar deturimet e qeverisë ndaj gjithë qytetarëve grekë".

Por Theodore Krintas, drejtori menaxhues i kompanisë Attica për Menaxhimin e Pasurisë, tha se paketa e ndihmave do të jetë e rëndësishme për të ndihmuar rigjallërimin e kapitalit të bankave, nga të cilat do të përfitojë më në fund i gjithë vendi.
Për njerëzit e thjeshtë, kësti i ri i huasë do të thotë më shumë masa të ashpra ekonomike.

Troika evropiane, Banka Qendrore Evropiane, FMN-ja dhe Komisioni Evropian, ka rënë dakord dy herë për ta ndihmuar Greqinë, duke u zotuar t’i japë një shumë prej 240 miliardë euro në hua, prej të cilave deri tani ky vend ka marrë rreth 150 miliardë euro.

Në shkëmbim të këtyre huave, Greqisë i është dashur të zbatojë një sërë masash të ashpra financiare.

Objektivi kryesor i programit të ndihmave është përmirësimi i ekonomisësë Greqisë, që ajo të arrijë në pikën ku mund të funksionojë në mënyrë të pavarur për shlyerjen e borxheve. Dhe për disa muajsh me radhë është parë qartë se Athina është larg arritjes së këtij objektivi.

Takimi i djeshëm 10 orësh në Bruksel është i treti në 3 javë në të cilin ministrat e financave u përpoqën të arrinin një marrëveshje për ndihmat e Greqisë. Borxhi i këtij vendi është baraz me 180 për qind të GDP-së, rreth 3 herë më i lartë se kufiri i lejuar për vendet e eurozonës.

XS
SM
MD
LG