Lidhje

NATO paralajmëron Sirinë


Kreu i NATO-s, paralajmëroi se çdo përdorim i armëve kimike nga qeveria e Sirisë do të shkaktonte një reagim të menjëhershëm ndërkombëtar. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Anders Fogh Rasmusen i bëri komentet në Bruksel, disa orë para se ministrat e jashtëm të NATO-s të miratonin një kërkesë të Turqisë për dislokimin e raketave Patriot që do të parandalonin përhapjen e konfliktit.

Shqetësimi ndërkombëtar rreth synimeve të Sirisë është rritur nga njoftimet e mediave se ky vend ka dislokuar armë kimike dhe mund të jetë i gatshëm t’i përdorë ato si reagim ndaj fitoreve dramatike të arritura nga kryengritësit që luftojnë për të rrëzuar Presidentin Bashar al-Asad.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen, tha sot se kërcënimi me armë kimike nga ana e Sirisë, e ka bërë nevojë urgjente që Aleanca të dërgojë raketa Patriot në Turqi.

"Arsenalet siriane të armëve kimike janë një shqetësim i madh. Ne e dimë se Siria zotëron raketa, e dimë që ata kanë armë kimike dhe sigurisht që këto duhet të përfshihen në llogaritë tona," u tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmusen gazetarëve në hapje të një takimi të ministrave të jashtëm të aleancës në Bruksel.

"Kjo është edhe arsyeja se përse është çështje urgjente të sigurohet mbrojtja efektive e Turqisë, aleates sonë," tha ai.

"Përdorimi i mundshëm i armëve kimike do të ishte krejtësisht i papranueshëm për gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe në qoftë se dikush i përdor këto armë të tmerrshme unë do të prisja një reagim të menjëhershëm nga komuniteti ndërkombëtar," tha zoti Rasmussen.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u bëri jehonë paralajmërimeve amerikane se çdo përpjekje nga ana e qeverisë siriane për të përdorur armë kimike kundër rebelëve do të jetë një "vijë e kuqe" që do të shkaktojë reagimin e Shteteve të Bashkuara. Siria deklaroi të hënën se nuk do të përdorë armë kimike kundër popullit të vet.
XS
SM
MD
LG