Lidhje

Berlusconi kritika ndaj Montit


Ish kryeministri italian, Silvio Berluskoni tha sot se politikat e kreut të qeverisë së tanishme janë tepër të orientuara drejt Gjermanisë. Ai minimizoi shqetësimet lidhur me rritjen e kostos së huamarrjes për Italinë. Komentet vijnë pas njoftimit për dorëheqje të bërë nga Kryeministri Mario Monti.

Duke komentuar me telefon në një intervistë për Kanalin 5, pronë e tij, zoti Berluskoni tha se rënia e tregjeve financiare është pasojë e spekulimeve që synojnë të sabotojnë demokracinë italiane.

Gjatë fundjavës, zoti Berluskoni njoftoi se do të vihej në krye të Partisë së Lirisë.

Eurozona dukej se po hynte e qetë në festat e fundvitit, por papritur, kryeministri italian Mario Monti njoftoi se do të jepte dorëheqjen, duke u tëhequr më herët nga një qeveri, e cila kishte rivendosur besimin në aftësinë e Italisë për të paguar borxhet.

Tani, ngatërresat e mundshme politike në ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës papritur u kanë shtuar tensione të reja përpjekjeve të udhëheqësve evropianë për t’u marrë me borxhin dhe me krizën ekonomike.

Qeveria e Montit, që erdhi në fuqi 13 muaj më parë, ka bërë të ulet kostoja e huamarrjes së vendit në tregjet e bonove. Por kjo kosto filloi të rritet përsëri dje në mëngjes.

Shqetësimi nga njoftimi për dorëheqjen e zotit Monti të dielën, është se Italia e zhytur thellë në borxhe mund të ngadalësojë ose ndërpresë përpjekjet për t’u çliruar nga stanjacioni dhe burokracia që e karakterizon ekonominë e saj.

Zoti Monti e dha dorëheqjen më herët se sa pritej pasi të enjten partia e ish kryeministrit Berluskoni e tërhoqi mbështetjen ndaj tij.

Zoti Monti ka thënë se masat e ashpra shtrënguese të qeverisë së tij janë të domosdoshme për të rivendosur besimin tek e ardhmja financiare e vendit. Ai u kujtoi votuesve të kenë kujdes nga zgjidhjet magjike që premtojnë kandidatët për zgjedhjet e ardhshme.

Zoti Monti ka thënë se do të japë dorëheqjen sapo të miratohet buxheti, duke nxitur shqetësime në tregjet e aksioneve se qeveria e re mund të mos i zbatojë reformat e premtuara nga ajo e mëparshme.

Megjithë reagimin e tregjeve financiare, anketat i japin Berlusconit pak shanse për t’i fituar zgjedhjet.
XS
SM
MD
LG