Lidhje

Egjiptianët votojnë sot për kushtetutën e re


Egypt constitution thumb
Egypt constitution thumb

Kushtetuta e re egjiptiane garanton shumë liri, siç bëjnë të ditur edhe reklamat qeveritare, por i kufizon ato. Mes tyre përshembull është mbrojtja e lirisë së fjalës dhe shprehjes, por ndalohet fyerja ndaj të tjerëve; garantohet liria e medias, por në kushtetutë thuhet se media duhet të operojë “në bashkërendim me parimet bazë të shtetit dhe shoqërisë”.

Në kushtetutë garantohet e drejta e protestave, por thuhet se civilët do të merren në gjykim nga gjyqet ushtarake nëse ata “dëmtojnë” ushtrinë – një nga pikat më të paqarta të dokumentit.

Kushtetuta egjitiane garanton lirinë e besimit, por vetëm për besimet monoteiste, dhe e bën Islamin besimin shtetëror dhe e trajton interpretimin sunni të Ligjit Mysliman si “parimin kryesor” për gjithë legjislacionin.

Sipas një videoje të publikuar nga grupet opozitare, kushtetuta u hap dyert “varfërisë, skllavërisë dhe shtypjes” dhe është dokument i përgatitur me ngut e që nuk do të përmbushë kërkesat e të gjithëve.

Eksperti i të drejtës kushtetuese në fakultetin juridik në Universitetin e Chicagos, zoti Tom Ginsburg thotë se shumë dispozita të Kushtetutës janë të qarta, por pak dispozita lënë vend për shqetësim:

“Pyetja kyçe në lidhje me këto dispozita ligjore të debatueshme është se në vendet myslimane nuk është e rëndësishme çfarë shkruhet në letër por se si interpretohet ajo që është shkruar. Mendoj se këtu nis pasiguria në lidhje me këto drafte”.

Zoti Ginsburg thotë se interpretimi i tyre do të bëhet nga gjykatës islamikë nëse islamistët kotrollojnë qeverinë e ardhshme ashtu siç pritet të jetë. Ai është i shqetësuar veçanërisht për dispozitat ligjore në kushtetutë që i japin ushtrisë një autoritet të konsiderueshëm.

Kushtetuta siguron një sistem demokratik, me zgjedhje të shpeshta dhe ndarje të pushteteve mes presidentit, parlamentit dhe gjykatave.

Mina Khalil që punon në Universitetin amerikan të Kajros ka shqetësimin se duke i lënë shumë në dorë shumicës së thjeshtë në parlament, mund të krijohet një abuzim politik nga cilado palë që është në pushtet.

“Ligjërisht është në rregull, por politikisht nuk mendoj se është në rregull. Nëse do të donim të dinim se si funksionon shumica, ky dokumet nuk na e shpjegon këtë gjë”. - thotë ai

Egjipti ka patur një jetë aktive politike dy vitet e fundit, shumica e së cilës është zhvilluar përmes protestave në rrugë.

Zgjedhjet parlamentare të shkurtit do të jenë një provë se sa munden islamikët dhe liberalët, ta transmetojnë këtë energji në politikën e vendit, dhe do të përcaktojnë se cila forcë politike do të ketë mundësi të interpretojë e të vërë në zbatim kushtetuën e re të vendit.
XS
SM
MD
LG