Lidhje

Ndikimi i Shoqatës Kombëtare të Armëve në debatin mbi kontrollin e armëve


Shoqata Kombëtare e Armëve ose NRA ka për qëllim të nxisë pronësinë e armëve dhe të drejtën kushtetuese për armëmbajtje. Kjo shoqatë njihet si një nga organizatat lobiste më me ndikim në Shtetet e Bashkuara.

Dje, në përgjigje të vrasjeve me armë zjarri të javës së kaluar në një shkollë fillore në Konektikat, NRA i bëri thirrje qeverisë të vendosë roje të armatosura në të gjitha shkollat amerikane. Organizata i hodhi poshtë thirrjet për ligje të reja mbi kontrollin e armëve që vijnë nga shumë votues dhe disa anëtarë të Kongresit.

Për më shumë se 141 vjet, Shoqata Kombëtare e Armëve ka nxitur pronësinë e armëve. Me rreth 4 milionë anëtarë me pagesë, ajo njihet si një forcë e madhe politike dhe si mbrojtësja kryesore e Amendamentit të Dytë të Kushtetutës amerikane që i jep të drejtën për armëmbajtje qytetarëve amerikanë.

Kathy Kiely është redaktore e një grupi që monitoron kontributet politike të bëra nga NRA:

“Shoqata Kombëtare e Armëve është organizatë e fuqishme sepse ajo ka një bazë të gjerë anëtarësh në mbarë vendin dhe mbledh fonde që i përdor me shkathtësi për qëllime politike”.

Analistët thonë se përmes reklamave televizive dhe kontributeve në fushatat zgjedhore, NRA shpenzon miliona dollarë çdo vit për të lobuar te anëtarët e Kongresit. Ajo ka kundërshtuar me sukses përpjekjet për të rivendosur ndalimin e armëve luftarake që skadoi në vitin 2004.

Organizata tregohet zemërgjerë ndaj kandidatëve të cilët mbështesin pozitat e saj dhe reagon me shumë energji kundër atyre që kundërshtojnë pikëpamjet e organizatës. Wayne LaPierre është zëvendës president ekzekutiv i NRA. Ai thotë:

“Pronarët e armëve votojnë dhe politikisht nuk është vendim i mirë të jesh kundër Amandamentit të Dytë në një vit zgjedhjesh”.

NRA jep vlerësime për ligjvënësit që mbështesin kauzën e tyre. Zonja Kiely thotë se NRA është bërë një grup i frikshëm për politikanët.

“Ata janë të frikshëm sepse mund të mobilizohen në kohë zgjedhjesh dhe japin kontribute të mëdha financiare gjatë fushatave zgjedhore për të mbështetur ose kundërshtuar politikanët”. - thotë ajo

Incidenti me armë zjarri në një shkollë të Konektikatit në të cilin u vranë 20 fëmijë dhe 6 të rritur nga një person i armatosur ka ringjallur debatin mbi kontrollin e armëve. Analistët thonë se kjo e ka vënë në pozitë mbrojtëse Shoqatën Kombëtare të Armëve.

Tani disa aleatë dhe lobues të hershëm të armëve po i bëjnë thirrje shoqatës NRA të punojë me Kongresin për të miratuar ligje për kontrollin e armëve.

Edhe shitësit e armëve si Andrew Raymond nga Marilendi tani e vënë në pikëpyetje fuqinë e NRA-së për të kundërshtuar thirrjet për ndalimin e armëve luftarake të stilit ushtarak dhe municioneve të ngjashme me ato të përdorura në sulmin në një shkollë në Konektikat.

“Kur bëhet fjalë për 20 fëmijë të vdekur, fuqia e NRA nuk ka rëndësi. Është e logjikshme të presim miratimin e një lloj ligji që do të kufizojë këto armë”. - thotë ai

Analistët thonë se zemërimi në rritje ndaj sulmeve të pakuptimta me armë zjarri mund të jetë një pikë kthese që mund të dobësojë rezistencën e NRA-s kundër forcimit të ligjeve për kontrollin e armëve.
XS
SM
MD
LG