Lidhje

Ekonomia amerikane, thelbësore për rritjen globale 2013

  • Mil Arcega

Në frontin ekonomik, 2012 ishte një vit i përzier rritjeje të kujdesshme, befasish dhe hapash prapa. Ishte gjithashtu një vit lufte politike dhe trazirash globale, një kohë për të zgjidhur çështjet e mbetura dhe qëndrimet ideologjike. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Mil Arcega, megjithë shenjat e përparimit, rimëkëmbja ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera vazhdon të jetë e ngadaltë dhe e dobët ndërsa fillon viti i ri.

Në Shtetet e Bashkuara, përqindja e papunësisë ka rënë në nivelin më të ulët në katër vitet e fundit, tregu i shitblerjes së shtëpive është stabilizuar dhe tregjet financiare janë rimëkëmbur.

Por ndërsa viti 2012 po mbyllet, është e qartë se rimëkëmbja nuk ka qenë aq e fuqishme sa ç’ishte shpresuar.

Shtetet e Bashkuara nuk janë të vetme. Në përpjekje për të rregulluar ekonomitë e dëmtuara, ekonomisti konservator Richard Rahn thotë se qeveritë në gjithë botën vazhdojnë të shpenzojnë më shumë sesa të fitojnë.

“Nëse vendet do të shpenzonin brenda mundësive, duke e mbajtur rritjen e shpenzimit në pothuajse të njëjtin nivel sa edhe rritjen ekonomike, nuk do të përballeshim me këtë krizë globale ekonomike”.

Të tjerë thonë se matematika nuk është aq e thjeshtë.

Një rast është për shembull Greqia ku masa të rrepta ekonomike, si kusht për një paketë të dytë shpëtimi kanë sjellë një recesion të thellë që ekonomisti Desmond Lachman thotë se kërcënon Eurozonën.

“Ne po imponojmë masa shumë të rrepta financiare. FMN-ja e ka pranuar se këto masa nuk kanë funksionuar, megjithatë evropianët po këmbëngulin për të njëjtat masa që u shkaktuan probleme në vitin 2012, kështuqë diçka duhet të ndryshojë”.

Por lëshimet nuk do të jenë të thjeshta, veçanërisht në Washington. Pavarësisht nga javët e negociatave intensive, Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi ende nuk kanë arritur një marrëveshje për “katastrofën financiare”.

Kushtet i referohen kombinimit të shkurtimeve të thella të shpenzimeve dhe rritjes automatike të taksave që fillojnë më 1 janar nëse nuk arrihet marrëveshje. Nëse nuk arrihet kompromis për pakësimit të borxhit kombëtar16 trilionë dollarësh, ekspertët thonë se ekziston mundësia e recesionit. Problemi nuk është ekonomia amerikane, por një sistem politik jofunksional, thotë avokati i reformës fiskale Robert Bixby.

“Mosfunksionimi politik është një rrezik më i madh sesa problemet ekonomike”.

Duke pasur parasysh natyrën e tregëtisë, një tronditje në ekoniminë më të madhe të botës do të kishte një efekt domino. Bruce Stokes është ekonomist në Qendrën Pew të Studimeve.

“Një shprehje thotë se nëse ne na zë rrufa, botën e kap i ftohti prandaj nëse ne zhytemi në rececion, mendoj se të gjithë do të vuanin pasojat”.

Pavarësisht nga përparimi i kohëve të fundit në Evropë, FMN-ja e ndryshoi parashikimin global për 2013-ën, duke përmendur rritje më të ngadaltë në tregjet në zhvillim.

Kreu i Rezervës Federale Ben Bernanke thotë se kjo nuk është e pashmangshme. Ai u kërkoi ligjvënësve të tregojnë udhëheqje në kohë të pasigurta.

“Pasiguri të tilla, vetëm do të thellohen nga mosmarrëveshjet dhe vonesat. Ndërsa bashkëpunimi dhe idetë për të sjellë qartësi fiskale, dhe në veçanti një plan për zgjidhjen e çështjeve afatgjata të buxhetit pa dëmtuar rimëkëmbjen mund të kontribuonin në një vit pozitiv 2013 për Shtetet e Bashkuara”.

Të dyja palët duket se po i afrohen kompromisit sipas së cilit taksat e amerikanëve më të pasur do të rriten. Por ndërsa një vit ikën dhe tjetri vjen, bota po pret të shohë nëse një vend i polarizuar politikisht, e ka ende vullnetin për të përballuar problemet që mund të kenë pasoja për pjesën tjetër të globit.

XS
SM
MD
LG