Lidhje

David-Apollo, Misteri i skulpturës së Michelangelos


Michelangelo është i njohur në mbarë botën si skulptor i madh i Rilindjes italiane. Tani, një nga veprat e tij më interesante është marrë hua nga Galeria Kombëtare e Artit, në Uashington, e cila në koleksionin e saj nuk ka vepra të tjera të Michelangelos.

Ai është i hijshëm, me trupin të kthyer në një mënyrë që italianët e quajnë "serpentinata" ose gjarpërimi. Duket lëvizje e natyrshme, por në të vërtetë nuk është.

"Po rri pothuaj si ai."

"Është lëvizje e vështirë. Nuk e di kur do të kisha rast të pozoja në këtë mënyrë."
Ashtu si shumë vepra të Michelangelos – skulptura duket e papërfunduar.

"Më bën shumë përshtypje kontrasti midis sipërfaqes së ashpër të gurit dhe detajeve mjaft reale të trupit, të cilat duken sikur janë pjesë të buta në skulpturë, edhe pse janë prej guri."

"Është i bukur."
Por askush nuk e di kush është “ai” në të vërtetë. Çelësi fshihet këtu, në këtë pjesë të ashpër në anën e pasme. A duhej të ishte kjo hobeja që Davidi përdori për të vrarë Goliathin? Apo shigjetat e Apollos?

Darcey Kuhn sapo u kthye nga Italia.

"Mendoj se duket më shumë si Davidi. Mendoj kështu pasi në Itali pata rastin të shihja shumë Apollo. Dhe nuk ishin vetëm vepra të Michelangelos, por shumë versione të Apollos."

David-Apollo ka qenë këtu edhe më parë. Skulptura u ekspozua këtu në vitin 1949, gjatë inaugurimit të Presidentit Harry Truman. Ambasadori italian Claudio Bisogniero.

"U mendua, që me të, të falënderoheshin Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e madhe gjatë luftës, por edhe pas luftës, në rindërtimin e Italisë pas shkatërrimit të asaj kohe."

Ministri i Jashtëm italian Giulio Terzi mori pjesë në ceremoninë për kthimin e skulpturës në Uashington si dhe për fillimin e Vitit të Kulturës Italiane në Shtetet e Bashkuara.

"Në vitin 1949, pothuajse 800 mijë vizitorë shijuan kryeveprën e paharrueshme prej mermeri të Michelangelo-s. Jam i sigurt që gjatë pak muajve të ardhshëm, ne do ta arrijmë patjetër atë shifër."


Pavarësisht nëse është Davidi apo Apollo, vizitorët e galerisë vlerësojnë aftësitë e Michelangelos.

Por, a e dinë ata mbiemrin e Michelangelos?

"Në fakt, nuk e di."

"Mendoj se fillon me shkronjën B".
Darcey ka të drejtë. Skulptori quhet Michelangelo Buonarroti.

Skulptura David-Apollo erdhi në Galerinë Kombëtare të Artit nga Kina, ku ishte pjesë e një ekspozite e artit fiorentin në Pekin. Ajo do të qëndrojë në këtë galerinë e Uashingtonit deri në muajin mars.
XS
SM
MD
LG