Lidhje

2012 rikthen vëmendjen tek ngrohja globale

  • Rosanne Skirble

2012-a ishte një vit me mot ekstrem: qytete të tëra u përmbytën në Australi. Një ditë shirash të rrëmbyer në Manila e mbushën me ujë gjysmën e kryeqytetit të Filipineve. Një tajfun i fuqishëm goditi Paqësorin perëndimor dhe një thatësirë rekord përfshiu mbi gjysmën e pjesës kontinentale të Shteteve të Bashkuara. Këto dhe raste të tjera të skajshme metereologjike në vitin 2012 përputheshin me atë që shumë shkencëtarë e parashikojnë të jetë tashmë normale, ndërsa klima e botës vazhdon të ndryshojë dhe ndërsa vendet e ndryshme vuajnë pasojat e një planeti që po ngrohet gjithnjë e më shumë.


Në fillim të dhjetorit, një katastrofë goditi Filipinet. Tajfuni Bopha shkaktoi vdekjen e mbi 1000 vetë dhe zhvendosi miliona të tjerë. Katastrofa i bëri jehonë një ngjarjeje tjetër të ngjashme një muaj më herët, në anën tjetër të botës, kur uragani më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë në Atlantik përfshiu brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara, nga Florida në Maine, duke përmbytur bregdetin e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit. Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo e pranoi se këto katastrofa natyrore janë shenja të kohës.

“Ngrohja globale është një realitet. Është e pamohueshme që kushtet e skajshme të motit po shtohen dhe ne na duhet të nxjerrim mësime nga një gjë e tillë”.

Uragani Sandy dhe tajfuni Bopha janë pjesë e një prirjeje të gjerë të ndryshimeve klimatike, thotë Todd Sanford, një shkencëtar që studion klimën, anëtar i Bashkimit për Shkencëtarët e Shqetësuar.

“Nëse u hedhim një vështrim treguesve të klimës, ato po lëvizin në drejtimin e pritshëm për një planet që po ngrohet gjithnjë e më shumë. Kështuqë jo vetëm që temperaturat po rriten, por oqeanet po ngrohen, temperaturat e sipërfaqeve të detit po ngrihen, akulli po shkrin, akullnajat po zvogëlohen”.

Raportet e reja nga Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore arrijnë në përfundimin se planeti do të ngrohet nga 3 deri në 5 gradë celsius gjatë këtij shekulli. Nënpresidentja e Bankës Botërore Rachel Kyte bën një parashikim të zymtë për një botë më të ngrohtë.

“Qoftë kur bëhet fjalë për thatësira, stuhi, ngritje e nivelit të detit, mendoj se e kemi kapërcyer pikën ku ngrohja globale do t’i ndodhte dukujt tjetër në të ardhmen. Ngrohja globale po më ndodh mua, tani”.

Mes atyre që po bëjnë thirrje për marrjen e masave për ngadalësimin e ngrohjes globale është shkencëtari i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Diarmid Campbell-Lendrum. Në një takim shkencor në Uashington, ai paralajmëroi se kushtet që kanë shkaktuar vdekjen e miliona vetëve, kequshqyerja, diarreja dhe malarja, do të keqësohen ndërsa planeti vazhdon të nxehet.

“Ndryshimi i klimës i rrit kërcënimet ekzistuese dhe rrit paqendrueshmërinë në sistem dhe vë në rrezik sigurinë e shëndetit publik”.

Në dhjetor, në bisedimet e Kombeve të Bashkuara për klimën në Doha të Katarit, delegatët u takuan që të fillonin të hartonin një traktat të ri për të pakësuar sasinë e gazeve industriale dhe ndryshimin e ngadaltë të klimës. Analistja e politikave Jennifer Haverkamp, me Fondin për Mbrojtjen e Ambjentit, ishte vëzhguese në takim. Ajo thotë se në Doha negociatat shënuan një përparim të lehtë.

“Ajo që kuptova është që sado i rëndësishëm të jetë ky forum, është pozitive që nuk është i vetmi forum ku po përpiqemi të shënojmë përparim”.

Zonja Haverkamp thotë se vendet po punojnë si në kuadrin e Kombeve të Bashkuara, ashtu edhe jashtë tyre për strategjitë për reduktimin e çlirimit të gazeve. Vendet duhet të punojnë së bashku, thotë ajo për t’u bërë ballë sfidave të një bote gjithnjë e më të ngrohtë.
XS
SM
MD
LG