Lidhje

Hollivudi dhe dhuna


Sulmi me armë në shkollën fillore Sandy Hook të shtetit Konektikat ka ngritur sërish pyetje mbi lidhjen që mund të ekzistojë midis dhunës në media me rastet e sulmeve në jetën reale. Edhe në Hollivud janë duke u shtruar të njëjtat pyetje. Por atje njerëzit thonë se filmat me aksion e të dhunshëm janë një element kryesor i industrisë dhe se të paktën për momentin nuk ka të ngjarë që ata të zhduken nga qarkullimi.

“G.I. Joe: Retaliation” i përket asaj kategorie filmash që nxjerrin fitime të mëdha për Hollivudin duke tërhequr djemtë adoleshentë përmes aksionit, luftimeve dhe shpërthimeve.
Tim Gray është redaktor i revistës Variety që mbulon industrinë e argëtimit. Ai thotë se debati rreth dhunës ka ekzistuar që në kohën që u krijuqa revista para 100 vjetësh, e madje edhe më herët.

"Në fakt, fillon 2000 vjet më parë, nëse shohim tragjeditë greke. Po të kemi parasysh gladiatorët e Koloseut, kuptojmë se dhuna dhe argëtimi kanë qëndruar gjithmonë përkrah njëra-tjetrës, por tani është tepër e përhapur."

Kjo skenë e filmit “Psycho”, i regjizorit Alfred Hitchcock, ishte një segment i shkurtër i një filmi të krijuar me shumë kujdes, i cili mbështetej tek dialogu për të treguar historinë. Megjithatë, në vitin 1960, skenat ishin mjaft tronditëse për publikun.

Filmi i ardhshëm i regjizorit Silvester Stallone, “Bullet to the Head” përdor aksionin për të tërhequr vëmendjen e shikuesit.

“Pacific Rim”, një film fantastiko-shkencor mbi një pushtim prej jashtëtokësorëve, pritet gjithashtu të pëlqehet prej adoleshentëve.

Një producent, krijimet e të cilit përfshijnë edhe “Mean Streets” - një nga filmat e parë të regjizorit Martin Scorsese - tani punon si analist i mediave.
Jonathan Taplin thotë se armët, shpërthimet dhe ndjekjet emocionuese ndonjëherë zëvendësojnë historitë e ndërtuara me kujdes.

"Filmat me aksion janë një nga gjërat që Hollywoodi bën mjaft mirë. Dhe nuk jam i sigurt nëse ata do të ishin në gjendje të tërhiqnin publikun adoleshent pa përdorimin e gjerë të dhunës në krijimet e tyre."

Wayne LaPierre, i Shoqatës Kombëtare të Armëve, fajëson videolojërat dhe filmat, si nxitëse të dhunës së vazhdueshme në botën reale. Ai kundërshton thirrjet për kontrolle më të rrepta të armëve.

Por shumë njerëz në botë shohin filmat e Hollywoodit pa shkaktuar probleme, thotë zoti Taplin.

" Në shumë vende të botës ku filmat e Hollivudit janë burim kryesor argëtimi nuk ndodhin vrasje masive të fëmijëve."

Megjithatë, zoti Taplin është i shqetësuar nga dhuna që gjendet në filmat amerikanë, sidomos ata të regjizorit Quentin Tarantino. Filmi i ri i tij, “Django Unchained”, tregon një histori rreth skllavërisë dhe ndëshkimeve në jugun amerikan para Luftës Civile.
Sulmi i kohëve të fundit në shkollën Sandy Hook ka bërë që shumë njerëz në Hollywood të ngrejnë pyetjen nëse autorët duhet të ulin përmbajtjen e dhunës në filma, thotë redaktori Tim Gray.

"Njerëzit janë duke folur për masakrën e Njutaunit, duke e konsideruar si pikë kthese që mund të sjellë ndryshime."

Por publiku i moshave të reja nuk po shfaq asnjë shenjë që të shprehë humbje të interesit ndaj filmave të dhunshëm.

XS
SM
MD
LG