Lidhje

Ndihma për katastrofën e uraganit Sandy


Dhoma e re e Përfaqësuesve miratoi një projektligj prej 9 miliardë dollarë ndihmash për viktimat e uraganit Sandy përgjatë bregut lindor të Shteteve të Bashkuara. Këtë projektligj i cili tani pret firmën e presidentit Barack Obama, e miratoi gjithashtu Senati. Në fillim të vitit të ri, njerëzit dhe figura politike nga zonat e prekura nga Sandy shprehën zemërim që ndihma federale u zvarrit për t’u miratuar, më shumë se dy muaj që kur ata humbën shtëpitë, punën dhe bizneset për shkak të stuhisë.

Kur udhëheqësit republikanë në Kongres e lanë ligjin për ndihmat e katastrofës Sandy të mos votohej më 1 janar, ligjvënësit e zonës së Nju Jorkut u zemëruan. Guvernatori i Nju Xhersit Chris Christie:

"Ne u përgjigjemi viktimave të pafajshme të fatkeqësive natyrore jo si republikanët apo demokratët, por si amerikanë. Ose të paktën e kemi bërë këtë deri dje. Dje, politika u vu përpara betimit tonë për t'i shërbyer qytetarëve tanë. Për mua, kjo ishte zhgënjyese dhe e neveritshme. "

Në lagjen Red Hook të prekur nga stuhia, njerëzit po përpiqen të zgjidhin problemet, thonë banorët si Denise Carbonell, biznesi i të cilës pati dëme me vlerën e 75 mijë dollarëve.

“Duket sikur këto lagje nuk i interesojnë qeverisë sonë. Ne patëm një nga sezonet e festive më të vështira, veçanërisht ne si shitës. Ne realizojmë të ardhurat e vitit nga shitjet e Krishtlindjeve dhe kësaj here nuk realizuam asgjë. Vendosëm të mbyllnim biznesit për dy muaj ose për të paktën një muaj e gjysmë në përpjekje për të vendosur se çfarë do të bënim. ”

Ndërsa Carbonell ngron shtëpinë e saj me dru zjarri, disa banorë apartamentesh si Ebony Fergerson, nuk e kanë këtë mundësi.

“ Më duhet ta mbaj furrën ndezur dhe dy ngrohës, por përsëri nuk është e mjaftueshme.”

Ajo thotë se nuk e di në se është faji i Kongresit për mungesën e ndihmës – ajo thjesht shpreson që ndihma të vijë shpejt.

Skulptori Antonio Bilotta, studioja e të cilit është pranë Lumit East, humbi një pjesë të mirë të punëve dhe veglave të tij. Ai shpreson për ndihmë, por thotë se Kongresi duhet të kujdeset për të tjerët më parë.

“Mendoj se njerëzit që janë më keq se mua kanë nevojë për ndihmë, pra ndjej se drejtuesit e vendit duhet të arrijnë marrëveshje dhe t’u dërgojnë para këtyre njerëzve.”

Në Fort Defiance, një restorant në zonë, pronarit John Frizell iu desh të bënte shumë restaurime. Ai thotë se nuk e kupton përse Kongresi nuk veproi më shpejt për ndihmën.

"Unë jam i befasuar. Nuk e kuptoj se si kjo mund të jetë problem. Është mjaft e qartë se kjo zonë, jo vetëm Red, por New Jersey dhe New York, kanë nevojë për ndihmë, dhe kishim nevojë për atë dy muaj më parë. "

Frizell thotë se ai, si shumë biznese të tjera në Red Hook, kanë nevojë për ndihmë për të paguar kontraktorët që e ndihmuan të rindërtojë restorantin. Derisa të arrijë ndihma, thotë ai, njerëzit në Red Hook nuk kanë zgjidhje tjetër, por të mbështeten tek njeri tjetri për të mbijetuar.
XS
SM
MD
LG