Lidhje

Në Hagë rifillon gjyqi kundër Goran Haxhiçit


GORAN

GORAN

Ish-udhëheqësi i serbëve të Kroacisë akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjyqi i ish-udhëheqësit të serbëve të Kroacisë Goran Haxhiç, rifilloi të hënën në Hagë. Ai është një ndër zyrtarët kryesorë që po gjykohet në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë, për krimet e kryera gjatë luftrave ballkanike.

Gjykata e Hagës rihapi procesin kundër të dyshuarit Goran Haxhiç, i cili udhëhoqi kryengritjen e serbëve të Kroacisë, kur Kroacia u shkëput nga ish-Jugosllavia në vitin 1991.

Si president i të vetë-shpallurit mini-shtet serb në Kroaci, Republikës serbe të Krajinës, Haxhiç akuzohet se mbikqyri krime të tilla si vrasje dhe persekutime në banorëve jo-serbë. Ai akuzohet gjithashtu se ka mbikqyrur qendra burgosjeje, ku u kryen tortura, rrahje dhe vrasje të civilëve dhe të të ndaluarve të tjerë.

Haxhiç akuzohet se ka udhëhequr dëbimin me forcë të dhjetëra mijëra banorëve jo-serbë nga Krajina gjatë konfliktit nga viti 1991-1995. Ai u kap në vitin 2011 pranë Beogradit pas tetë vjetësh në arrati.

Megjithëse Haxhiç përballet me 14 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, prokurorët përmendën në veçanti vrasjen e pacientëve në një prej masakrave më të shëmtuara të konfliktit në Kroaci. Sipas palës akuzuese, forcat serbe nën komandën e Haxhiçit, morën rreth 260 vetë të përkatësisë etnike jo-serbe nga spitali i Vukovarit, pas një rrethimi tre mujor të qytetit.

Prokurori i Hagës Matthew Gillett tha se pjesa më e madhe e djemve dhe burrave u masakruan në nëntor 1991, në një fermë në Ovcara, pranë Vukovarit.

“Pak a shumë është bindja e përgjithshme, se 194 viktimat e përmendura në dokument, në paragrafin 32 të akt-padisë, të vrarë në Ovcara – ishin në gjendje arresti kur u vranë, më pas u vendosën në një varr masiv në Ovcara. Ky varr ka qenë nën mbrojtjen e personelit të OKB-së dhe nxjerrja e trupave dhe autopsitë u kryen nga ekspertë vendas e ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e autoriteteve kroate dhe jugosllave ishin të pranishëm”.

Specialisti kroat i mjekësisë ligjore Davor Strinoviç ka zhvilluar hetime mbi masakrën. Dr. Strinoviç tha se viktima më e re e zbuluar deri tani ishte një 16-vjeçar, ndërsa më i moshuari ishte 72 vjeç.

Dr. Strinoviç tha përmes një përkthyesi se identifikimi i mbi 200 viktimave të spitalit të Vukovarit ka qenë i vështirë:

"Po përpiqemi dhe jemi përpjekur që në fillim të gjejmë personat në listë. Por nuk kemi arritur sukses në të gjitha rastet. Sipas mjekut ligjor, së paku në një prej këtyre rasteve, familjarët e kishin të vështirë t’ia përmendnin emrin viktimës”.

Nëse shpallet fajtor, Haxhiç mund të dënohet me burgim të përjetshëm. Procesi gjyqësor rifilloi vetëm disa ditë para hapjes së gjyqit kundër ish-komandantit të serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiç. Ai akuzohet për krime lufte, ndër të cilat përfshirjen në masakrën e 8000 burrave dhe djemve nga forcat e tij në Srebrenicë në vitin 1995.
Gjykata e Hagës është nën presion për të mbyllur proceset. Ky institucion ka mbyllur zyrat lokale në Kroaci dhe Kosovë, por vazhdon aktivitetin në Serbi dhe Bosnje.
Rusia dhe Serbia e kanë kritikuar ashpër Gjykatën e Hagës, duke e akuzuar për qëndrim të njëanshëm kundër serbëve, pas vendimit për të liruar dy generalë kroatë dhe luftëtarin e UÇK-së Ramush Haradinaj.

Gjykata parashikon të përfundojë apelet e fundit brenda vitit 2016. Nëse do të ketë çështje të tjera që shfaqen pas atij viti, gjykimet do të zhvillohen në vendet përkatëse ku u kryen aktet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG